Lajme

Shala për draftstatutin e Asociacionit: Autonomi politike territoriale për serbët

By GAZETA SCANNER 1

May 21, 2024

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, ka thënë se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbë “është autonomi politike territoriale për serbët e vendit”.

Ai ka shtuar se procesi i integrimit si për Kosovën po ashtu edhe për Serbinë “janë të lidhura me atë marrëveshje që në thelbin e saj ka nenin 7”.

“Albin Kurti ka marrëveshje me presidentin e Serbisë… nuk kërkohet kurrfarë nënshkrimi, ajo është marrëveshje të cilën e ka adaptuar Bashkimi Evropian dhe e dini që është kthyer në një detyrim për Serbinë si ‘Kapitulli 35’ dhe sipas Aneksit të Ohrit është edhe detyrim i ri për Kosovën”.

Draftstatutin e Asociacionit e ka cilësuar si “draft-kushtetutë” për serbët.

“Neni 7 siç e dini është që në Kosovë duhet të themelohet siç e kemi parë edhe nga draftstatuti, autonomia politike territoriale e serbëve të Kosovës”, ka thënë ai.

“… Në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, thuhet në nenin 7. 

Më tej Shala ka thënë se përmes Marrëveshjes Bazë – të Brukselit e Ohrit – “bëhet edhe rikthimi” i pushtetit të Serbisë në Kosovës.

“Rikthimi dhe formalizimi i pushtetit të Serbisë së paku në katër fusha. Kjo është marrëveshja që ka kryeministri i Kosovës me presidentin e Serbisë dhe që ka mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përtej, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar”, ka deklaruar Shala.