Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala thotë se me kohë do të dëshmohet se kryeministri, Albin Kurti ka qenë në dijeni për bisedat që ka pasur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin nga Lista Serbe, Slavko Simiq.
Sipas Shalës, asnjë deputet i Vetëvendosjes nuk “guxon ta kapë telefonin e ta thërras Milan Radojçiqin, pa lejen e Kurtit”.
“Nuk është e vërtetë që ka biseduar pa lejen e kryeministrit. Po nuk ka njeri qaty në atë Kuvend të Kosovës që guxon me kap telefonin me thirr Radojçiqin, pa lejet e Albin Kurtit. Ato janë krejt skenarët e tij. Dhe koha do ta vërtetojë që këto kanë qenë në dijeni. Dhe të bisedojë për Trustin me Radojçiqin, të bisedojë për veteranët, të bisedojë për Ligjin e pagave, për pagën minimale, për elemente kushtetuese, dhe të na shitet patriot, hero kombëtar që e lufton krimin, e në anë tjetër bisedon me krimin”, deklaroi ai në “Info Nata” në Tëvë 1.
Deputeti Shala theksoi se kjo “është nonsens” dhe prandaj deputetët kërkojnë llogari dhe sqarim nga kryeministri.