Lajme

Shala akuzon pushtetin: Po ikën nga përgjegjësia parlamentare

By GAZETA SCANNER 1

October 03, 2024

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka akuzuar pushtetin se është duke ikur nga përgjegjësia parlamentare.

Ai ka thënë se në mungesë të rezultateve qeverisëse, pushteti nuk është duke treguar vullnet për ballafaqim me opozitën në Kuvendin e Kosovës.

“Institucionet qeveritare dhe parlamentare, të cilat tashmë janë në fund të mandatit, në kushte normale do të duhej të ftonin seanca të rregullta pse jo edhe të jashtëzakonshme, për të përmbyllur mandatin dhe objektivat politike, ekonomike dhe legjislative. Por në mungesë të rezultateve, natyrshëm mungon guximi dhe vullneti për tu përballur me realitetin objektiv”, ka shkruar Shala në “Facebook”.

Postimi i plotë i Shalës:

Ikja nga përgjegjësia parlamentare!

Institucionet qeveritare dhe parlamentare, të cilat tashmë janë në fund të mandatit, në kushte normale do të duhej të ftonin seanca të rregullta pse jo edhe të jashtëzakonshme, për të përmbyllur mandatin dhe objektivat politike, ekonomike dhe legjislative.

Por në mungesë të rezultateve, natyrshëm mungon guximi dhe vullneti për tu përballur me realitetin objektiv.

Prandaj mungojnë seancat sepse:

– Nuk kanë vullnet të ballafaqohen në debat për politikat integruese të kësaj qeverie.

– Nuk ka debat për rrezikun e përjashtimit të Kosovës nga CEFTA.

-Nuk ka debat për mos anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

– Nuk ka debat për sanksionet e vendosura ndaj Kosovës.

– Nuk ka debat për njohje të reja të shtetit.

– Nuk ka debat për mosrealizimin e objektivave të brendshme ekonomike.

– Nuk ka debat për mbylljen e AKP-së.

– Nuk ka debat për pakon e ligjeve të energjisë.

– Nuk ka debat për mos sigurimin e rezervave shtetërore për vitet 2022, 2023 dhe 2024.

– Nuk ka debat për aferat e ambalazhuesve të ujit dhe themelimin e Komisionit Hetimor për këtë çështje.

– Nuk ka debat për dështimin në shtritjen e sovranitetit energjetik në veri, përkundër licencimit të Elektroseverit nga kjo qeveri.

– Nuk ka debat për ushtruesit e detyrave, që në mënyrë të paligjshme ushtrojnë funksionet e tyre.

Më shumë se katër muaj para afatit ligjor të mbajtjes së zgjedhjeve, institucionet e Kosovës kanë filluar të jenë jofunksionale.