Op/Ed

Sfidat e padiskutuara për tranzicionin energjetik

Shkruan: Prof.Dr. Izet IBRAHIMI

Mungesa e një tregu likuid, – çmime të favorizuara për shitjet tek furnizuesit me OShP për shërbimin universal të furnizimit (USS)-KESCO, dhe mos integrimi i Republikës së Kosovës në Bursën Shqiptare të Energjisë (APEX) si treg i caktuar i një ditë përpara (DAM), na dëshmuan se si të metat e tilla mund të përmbysin edhe gjigandet siç ishte Ferronikeli.

Institucionet evropiane mbi bazën e dokumenteve që dalin nga “Letra e Gjelbër mbi Politikën Evropiane të Energjisë”, ka më shumë se një dekadë që përmes projekteve të përbashkëta stategjike të lidhura me gazin, e shohin atë si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar burimet e energjisë në tregjet evropiane, të cilat kryesisht dominohen nga gazi rus. Sipas agjendës “Sigurimi i Furnizimit me Energji”, BE është përballë projekteve dhe teknologjive të cilat deri në vitin 2030 do të mundësojnë uljen e nivelit të varësisë nga gazi rus nën atë të vitit 1980.

Në këtë kontekst, kjo agjendë po trajton për secilin vend anëtar dhe pretendet për në “tregun e përbashkët evropian”, gjithë hapsirën e zhvillimit të sektorit të energjisë, duke filluar nga kërkesa, rezervat me resurse natyrore, opsionet e gjenerimit të energjisë elektrike dhe furnizimit. Italia p.sh. në vitin 2020 ka arritur atë nivel të zhvillimit teknologjik, ku 30% të energjisë e prodhon nga gazi. Po ashtu edhe Bullagaria, ka filluar me ndërtimin e infrastrukturës së gazit në distancë prej 182 kilometrash në drejtim të Greqisë, e cila për të mos qenë krejtësisht e varur nga gazi rus, do të lidhet me projektin evropian të gazit TAP. Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq së fundmi, në kundërshtim me “Proceset drejtë Pakos së Tretë të BE-së” dhe me rekomandimin amerikan që të ulë varësinë nga ky gaz, zyrtarisht përuroi një linjë të re të gazit rus që kalon përmes Turqisë dhe Bullgarisë, e që për qëllim ka “sjelljen e më shumë gazi rus në Ballkan”.

Vetë BE gjegjësisht KE, ka vite që po inkurajon vendet me nivel të ulët të zhvillimit të teknologjisë për shfrytëzim të resurseve energjetike dhe gjenerimit të energjisë për partneritet ndërkombëtar për të punuar në projekte specifike. Për shembull, disa nga to kanë nënshkruar një marrëveshje me Kinën për të bashkëpunuar për teknologjinë e gjenerimit të energjisë me emetime afër zeros, nëpërmjet tërheqjes së dioksid karbonit dhe akumulimit. Kompanitë kineze janë përfshirë në ndërtimin e rreth një të pestës së kapaciteteve të reja energjetike të qymyrit në mbarë botën, kryesisht në vendet përgjatë programit të saj të investimeve “Një Rrip, Një Rrugë”, projekte të gjelbra dhe me emetime të ulëta të karbonit.

Kujtojeni Gjermaninë dhe involvimin e saj në projektin gjeopolitik rus “Rrjedha Veriore 2”, si dhe shumë projekte tjera që shihen si ambicioze edhe pse nga BE dhe SHBA, mund të shihet si një përpjekje nga Kina dhe Rusia për të rritur globalisht ndikimin ekonomik. P.sh. Serbia nga 4400 MW të kapacitetëve gjeneruese i ka shtuar edhe 2500 MW, Bosnja e Hercegovina nga 1765 MW, i ka shtuar edhe 2450 MW, Mali i Zi nga 532 MW i ka shtuar edhe 250 MW dhe Maqedonia e Veriut nga 800 i ka shtuar edhe 150 MW. Ndërsa Republika e Kosovës nga 960 MW të kapacitetëve gjerenuese të instaluara, pas dekomisionimit të TC Kosova A, do t’i reduktoj kapacitet prodhuese nën 500 MW.


Pra, pikërisht në kohën kur kemi pritur kalimin në një regjim të ri energjetik, në rritjen e kapacitetve gjeneruese, dhe që sistemi ynë energjetik të shkëputet më në fund nga sistemi energjetik i ish-Jugosllavisë së dominuar nga Serbia, sektori i energjisë po kalon nëpër një periudhë të rëndë krizash dhe transformimi. Në diskursin tonë publik, në vend të hapjes së debatit për “sfidat të padiskutuara të tranzicionit energjetik”, ekspertë, përfaqësues të OJQ-ve, OQ-ve dhe eksponentë politikë përmes “teorive të gjelbërta” të cilët në emër të shpëtimit të botës nga vrasja me CO2, pasi kanë pushtuar hapësirat mediale dhe tryezat e qeverisë, kanë degraduar diskutimin nga një nivel ekspertësh në një nivel “gypash gazi”. Kriza e fundit energjetike dhe barierat në linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, kanë dëshmuar se pavarësia politike e Republikës së Kosovës është e lidhur ekskluzivisht me pavarësinë e saj energjetike. Kështu që kemi pritur nga institucionet rregullatore dhe ato ekzekutive në Kosovë, se do të vazhdojnë me rrugëtimin drejtë “Pakos së Tretë Evropiane të Energjisë” dhe përmes një plani emergjent veprimi, do të mund t’ju përgjigjen progresit teknologjik, teknologjive të reja të gjenerimit të energjisë, si dhe të fillonin me dialogjet drejt ekonomisë së karbonit të ulët.
Eksperienca nga vendet e zhvilluara ka treguar se për të pasur një zhvillim normal të sektorit energjetik duhet të vendoset një balancë e drejtë si ndërmjet mekanizmave të tregut dhe ndërhyrjeve të qeverisë, ashtu edhe ndërmjet aspekteve teknike/teknologjike dhe menaxhimit të energjisë.

Përderisa thëngjilli vazhdon të jetë një burim i rëndësishëm i energjisë në BE do të vazhdoj të jetë i rëndësishëm edhe për Kinën gjithashtu. Ka kuptim që edhe Kosova të valorizoj burimet e saja energjetike përmes fisnikërimit dhe gazifikimit të linjitit, si të vetmet opsione për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe reduktimin e ndikimit negativ në mjedis. KEK Sh.A. edhe për një kohë të gjatë, do të jetë gjeneruesi kryesor i energjisë, për këtë edhe do të jetë ne përballje me sfidat globale, për sa i përket; progresit teknologjik, rritjes së efiçiencës, sigurisë së furnizimit dhe hapjes së tregut. Pra, tranzioni energjetik dhe kalimi nga regjimi i tejkaluar në teknologjitë fleksibile dhe efiçiente, (e cila po i bënë gati gjysmë shekulli që është provuar komercialisht në Evropë), në një masë të madhe kalon përmes procesit të shfryrjes së minierave dhe gjenreimit, si dhe reformimit strukturor të KEK-Sh.A.
Kemi dëgjuar këtyre ditëve, se Kosova do të kaloj në regjimin “e dekarbonizimit të energjisë”, edhe pse në fakt terminologji e re, demonstrimi i teknologjisë së emisionit zero në nivel komercial edhe në vendet në zhvillim të lartë ekonomik është larg parashikimeve. Kjo ngase, të gjitha studimet kanë vërtetuar se opsioni i përftimit të energjisë së qëndrueshme nga linjiti është alternativa më pak e shtrenjtë madje edhe kur kostot relativisht të larta mjedisore futen në çmim. P.sh. studimet e fundit të bëra nga “Regional Centre for Energy Policy Research”, të cilat edhe pas rritjes së çmimeve të lëndëve me prejardhje fosile si dhe shqetësimeve mbi ndryshimet klimatike, qe në sensin e respektimit të rekomandimeve të Konferencës e Kombeve të Bashkuara (OKB-COP26), për ndryshimet klimatike, që “Vendet e zhvilluara duhet ta zëvendësojnë energjinë e fituar nga qymyri sa më shpejt të jetë e mundur…”, opsionet e energjisë nukleare dhe nga gazi janë duke i trajtuar si zgjidhjet më ambicioze. Ndërsa, studimet mbi kosoton e nivelizuar të energjisë elektrike (“Levilized Electricity Cost –LEC”) – duke përfshirë eksternalitetet mjedisore – kostot për MW të energjisë nga gazi (nga importi), kanë rezultuar; 9.3 % mbi kostot e energjisë nga linjiti, 55.6 % më lirë se sa energjia nga nafta, 9.5 % më lirë se sa energjia nga biomasa, 27% më lirë se sa energjia nga era dhe 67% më lirë se sa energjia nga dielli. Kështu që, nese Qeveria e Republikës së Kosovës do të iniconte një studim mbi kostot e energjisë sipas proceseve të gazifikimit të linjitit (gazit vendor) me emetime afër zero të CO2, ato do të ishin edhe nën kostot e energjisë sipas opsioneve të djegies së “thëngjillit të pulverizuar”, si dhe djegies në “shtratin fluidizues nën vrushkull”, të cilat ishin studiuar në rastin “Kosova e Re”.


Pra, Kosova përtej “teorive të gjebërta” dhe ambicieve të “tregtarëve të energjisë”, do të duhej që urgjentisht të hap debatin rreth sfidave të pa “diskutuara” të tranzicionit të energjisë. Të paktën atyre që lidhen me progresin teknologjik dhe kalimin në një regjim të ri energjetik. ZRRE, KEDS, KESCO, KOST dhe këshilltar të energjisë, për të dëshmuar përkushtimin e tyre për integrimin e Republikës së Kosovës në tregun e përbashkët evropian, duhet që urgjentisht të fillojnë me dizajnin e tregut të energjisë elektrike, në mënyrë që të mirëmbajë dhe rikthej konkurrencën, të rrisë konkurrencën në gjenerim dhe në tregjet me shumicë, duke përfshirë tregtimin ndër-kufitar, si dhe tregjet me pakicë me çmime transparente dhe reflektuese të tregut. Po ashtu, ato duhet të zhvillojnë sistemet, ku konsumatorët mbështesin investimet e nevojshme përmes tarifave të tyre, e jo të varura nga ndër-subvencionimi, proteksionizmi dhe monopolet.


Kosova në vend të izolimit energjetik, do të duhej të promovoj partneritet ndërkombëtarë ashu siҫ edhe po sugjeron BE duke punuar në projekte specifike, të cilat projekte do të mundësonin, kalimi nga regjimi i tejkaluar teknologjik në teknologjitë fleksibile dhe efiçiente. Teknologjitë e tilla përveç rritjes së efikasitetit gjenerues dhe kontrollit të emisioneve sipas kostove më efektive, të njëjtat do t’i paraprinin fisnikërimit të linjitit me vlera të ulëta përmes gazifikimit dhe mbi të gjitha do të përmbushin kërkesat që dalin nga BE-së për ulje të ndotjes mjedisore përmes diversifikimit të prodhimit të energjisë. Progresi teknologjik dhe kalimi në një “regjim të ri energjetik” do të arrihet vetëm nëpërmjet progresit teknologjik dhe sigurimit të avantazheve konkuruese dhe jo nëpërmjet proteksionizmit dhe subvencioneve.