Op/Ed

S’është Kadriu – s’është Veriu

Shkruan: Besa Ismaili


Qytetarët e komunave veriore nuk kërkojnë lëmoshë, është obligim kushtetues, ligjor dhe moral i qeverisë përkujdesja buxhetore për këtë pjesë të Kosovës
Investimet institucionale të ekonomisë dhe çështjeve të tjera sociale, kanë anashkaluar veriun e Kosovës, aq më shumë tani kur po përballemi më situatën me pasojat e pandemisë Covid-19, duke mos harruar problemet e kahmotshme politike dhe sociale atje.


Anashkalimi ekonomik është në asimetri me institucionet e Beogradit, ku sipas banorëve, atje është duke u investuar në masë të madhe në ndërtim dhe investime kapitale e që spektri politik në Kosovë nuk e bën dhe gjendet në heshtje.
Ky investim i pushtetit serb përbën një shtypje sistematike, tipike për idetë kolonialiste, të cilat synim kryesor kanë shqetësimin e jetës së qytetarëve, duke i bërë atë të pasigurtë në vendin ku veprojnë. Qeveria e Kosovës në anën tjetër me këtë buxhet u dërgon mesazh qytetarëve tonë atje që nuk ka as më të voglin interesim për ta, duke rritur kështu edhe më pasigurinë e qytetarëve tonë atje!


Gjendja e banorëve të veriut, me kërkesa bazike dhe esenciale për një jetesë të barabartë dhe të sigurtë, për një ardhmëri të kënaqshme për të gjithë, parasheh kthimin e banorëve të shpërngulur përgjatë dy dekadave të fundit në pronat e tyre, lirimin e pronave nga uzurpimet, jodiskriminimin në çështjet e përfaqësimit dhe punësimit, politika të mirëfillta arsimore, shëndetësore, ndërtimi i Xhamisë së Urës së Ibrit dhe Muzeut për masakrat e luftës, rrugën lidhëse mes fshatrave te veriut dhe jugut me banorë shqiptarë(Zhazhë-Vllahi), etj. Nevojat e qytetarëve të komunave veriore nuk adresohen dhe as pasqyrohen në buxhetin e qeverise Kurti.


Për më tepër dhe më keq, as Trepça nuk duket të jetë pjesë e këtij buxheti sikur qe minatorët nuk kanë qenë pjese madje as skemave të pakove.
Minatorët e Trepçës thuajse çdo muaj janë në grevë për paga dhe për kushte- ndërkohë asnjë adresim dhe as buxhetor për ta!


Përfundimisht, ky buxhet është përjashtues dhe selektiv, nuk pasqyron Kosovën dhe as tërësinë e saj, as nevojat e qytetarëve në përgjithësi dhe nevojat e qytetarëve në veri në veçanti, sikur ajo pjesë të mos jetë fare pjesë e Republikës së Kosovës.