Jaha Zeneli, zyrtari i lartë i Shërbimit Korrektues të Kosovës që ka dëshirë ta quajë deputetin Mefail Bajqinovci “dajë”, është aktivizuar edhe në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës e patriotizmit.
Jaha Zeneli që nga nëntori i vitit të kaluar ka marrë një pozitë të rëndësishme në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Nga zyrtari për trajtimin e të burgosurve dhe çështjeve sociale, Zeneli është bërë U.D i udhëheqësit të Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve.
Me dilemma të mëdha ligjore, ai vazhdon ta mbajë ende këtë pozicion.
Nacionale raportoi se Jaha Zeneli, për pak muaj e ka punësuar në burgjet e Kosovës djalin, çikën dhe vajzën e axhës. Pra, nepozitëm flagrant.
Megjithatë, kjo nuk i ka bërë përshtypje. Pozicionimi pro-pushtetit po e shfaq edhe publikisht duke komentuar në postime të ndryshme në rrjete sociale.
Në një koment që ia ka bërë Nezir Krakit, Jaha Zeneli, i akuzon disa persona pa i përmendur, se janë vendosur në anën e armikut. Kur Nacionale e kishte kontaktuar Zenelin për ta pyetur për rehatimet që ua bëri familjarëve të ngushtë, ai kishte zgjedhur heshtjen.
“Është e vërtetë dhe shumë e vërtetë se Kosova asnjëher nuk ka qenë ma e fortë se tani. Kurrë nuk ka pasur ma shumë sovrantiet dhe integritet se tani. Kurrë nuk ka qenë më e përfaqësuar dhe më e prezantuar denjësisht se sa tani – me kokën lartë dhe pa u përkulur para askujt dhe para asnjë stuhie ngado qe të vjen ajo”, shkruan Zeneli në postimin e Krakit.
Të dështuarve, servilëve, injorantëve dhe analfabetëve funksional të gjertanishëm ju pengojnë shumë këto rezultate dhe me çdo kusht mundohen ti mohojnë, ti minimizojnë dhe ti zbehin ato!!! Aq larg shkojnë trutharët, sa që shpeshherë kalojnë edhe në anën e armikut duke i luftuar forcat progresive dhe përparimtare të Kosovës. Një fjalë popullore thotë: Dielli nuk mbulohet me shohë, andaj edhe këta servilët e fqinjëve armiqësor nuk do të kenë sukses dhe do të dalin të dështuar në përpjekjet e tyre të turpshme. Tani shumica e qytetarëve të Kosovës janë me këmbë në tokë dhe me mendje në kokë”, shkruan ai.
Sigurisht, sovraniteti për zyrtarin në fjalë, mund të nënkuptojë edhe rehatimin e ndonjë tjetër familjari.
Zeneli në shumë postime publike, pretendon se është edhe familjar i deputetit Mefail Bajqinovci.
Nacionale ka mësuar nga burimet e veta se brenda një kohe të shkurtër, Jaha Zenelit, familjarit të vetëquajtur të Mefail Bajqinovcit, i janë punësuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë edhe vajza, djali dhe vajza e axhës.
Vajza e Jaha Zenelit, Valmire Zeneli, është punësuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës në cilësinë e zyrtares korrektuese. Vendimin për emërimin e vajzës së Jaha Zenelit ka datën 7 nëntor 2023. Vetëm 2 javë para se babai i Valmirës të avancohej në pozitën e Udhëheqësit të Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin të Burgosurve.
Pra, 2 javë para se Jaha Zeneli të avancohet, atij iu rehatua vajza në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Nacionale e ka siguruar edhe akt-emërimin për vajzën e Zenelit, megjithatë për qëllime të ruajtjes së burimit nuk do ta publikojë dokumentin.
Nepotizmi nuk është ndalur me kaq. Më 12 janar 2024, disa javë pasi Jaha Zeneli avancohet si udhëheqës, djali i tij, Ermal Zeneli, gjithashtu përzgjedhet për kadet zyrtar korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Pra, motër e vëlla kolegë bëhen kolegë të punës brenda pak muajsh. Edhe për këtë emërim, Nacionalja e ka siguruar vendimin e shkruar, por nuk do ta publikojë me qëllim të ruajtjes së burimit.
Pikërisht në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, është punësuar edhe një tjetër familjare e Jaha Zenelit, ‘nipit’ të famshëm të Mefail Bajqinovcit. Burimet e afërta me zhvillimet i kanë thënë Nacionales se vajza e axhës së Jaha Zenelit, Naime Zeneli, është punësuar si kuzhiniere në burgun e Prishtinës.
Pra, përderisa vet Jaha Zeneli e mban pozitën e Udhëheqësit me dyshime për shkelje të ligjit, brenda pak kohësh atij i punësohen në Shërbim Korrektues të Kosovës 3 familjarë të afërt.
Gazeta Nacionale e ka kontaktuar Jaha Zenelin për të marrë një qëndrim nga ai lidhur me punësimet dhe për ta kuptuar më saktë lidhjen familjare me deputetin e VV-së, megjithatë Zeneli ka qenë i paqasshëm.
I paqasshëm ka qenë edhe deputeti Mefail Bajqinovci.
Pasi kishte publikuar disa fotografi me Mefin në rrjete sociale, Jaha Zeneli më pas ishte distancuar nga lidhja familjare nip e dajë.
“Me M. Bajqinovcin njihemi vetëm nga pranvera e vitit 2019, arsyeja pse i them dajë është se nëna ime është nga ajo anë, prej nga ishin të parët, katragjyshët e M. Bajqinovcit, mirëpo nuk kanë asnjë lidhje farefisnore, në asnjë shkallë gjenetike të lidhjes. Kjo ka mbetë si traditë, unë në shenjë respekti, të gjithë njerëzve të asaj ane iu them dajë. kjo është e tëra, mund ta vërtetoni si të doni dhe kur të doni”, shkruante Jaha Zeneli nëpër rrjete sociale.
Të gjitha informacionet e Nacionales janë konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Megjithatë, ata kanë dhënë disa arsyetime.
Ata kanë bërë të ditur se vendimi për Jaha Zenelin në pozitën e Udhëheqësit, është vazhduar edhe për 6 muaj të tjerë.
“Z. Jaha Zeneli është caktuar në pozitën U.D i Udhëheqësit të Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve me datë:21/011/2023 për gashtë muaj, vendimi për ushtrimin e kësaj pozite i është vazhduar edhe për gjashtë muaj me datë 06.06.2024”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Për punësimin e djalit të Jaha Zenelit, Ermalit, Shërbimi Korrektues ka theksuar se ai ka qenë në listë të pritjes.
“Z. Ermal Zeneli, ka aplikuar për pozitën kadet për zyrtar korrektues, ka kaluar fazat e testimit dhe ka mbet në listën e pritjes pasi që nuk ishte në listën e 18 kandidatëve fitues për Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, deri në fillimin e trajnimit profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike nga procesi i rekrutimit i janë tërhequr dy kandidatet fituese. Lista është plotësuar me kandidatët që kanë qenë në pritje me më së shumti pikë, ku është kualifikuar edhe z. Ermal Zeneli”, thuhet në përgjigje.
Lidhur me punësimin e vajzës së Jaha Zenelit, ShKK është arsyetuar me mungesën e aplikimeve nga gratë për zyrtare korrektuese.
“Znj. Valmire Zeneli është punësuar në SHKK me date 11.05.2022, në konkursin për zyrtare korrektuese Gra, ku interesi për punësim ishe mjaft i vogël”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Shërbimi Korrektues e ka konfirmuar se edhe Naime Zeneli punon si kuzhiniere, megjithatë, kanë theksuar se nuk e dijnë nëse ka lidhje familjare me udhëheqësin Jaha Zeneli.
“Znj. Naime Zeneli është punësuar me datë:11.05.2022 titulli i Kontratës ,, Nëpunës Civil’’ – Kuzhinierë në QP-Prishtinë, ku konkursi është shpallur disa herë në mungesë të aplikantëve, ndërsa nuk kemi asnjë informacion se e njëjta ka lidhje familjare me Jaha Zenelin. Konkurse te tilla ka pothuajse ne te gjitha institucionet korrektuese, por kemi mungese te aplikantëve”, thuhet në përgjigje.
Megjithatë, Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk është përgjigjur lidhur me akuzat për nepotizëm në këtë institucion, e as për mundësinë që të ketë pasur ndikime nga deputeti Mefail Bajqinovci./Nacionale