Lajme

Selmanaj: Mehmet Loci, torturuesi kryesor

By GAZETA SCANNER 1

August 23, 2024

Në “Debat Plus,” Rasim Selmanaj, ish i burgosur politik, ndau detaje nga përvojat e tij nga periudha e  hetimeve dhe burgosjes nga regjimi jugosllav, duke përmendur veçanërisht Mehmet Locin si torturuesin kryesor. Selmanaj ishte arrestuar disa herë nga regjimi serbo-jugosllav gjatë dy dekadave të shekullit të kaluar.

Selmanaj tregoi se Mehmet Loci, një pjesëtar i Sigurimit Shtetëror Jugosllav (UDB), ishte një nga personat kryesorë që kishin marrë pjesë në torturimet e tij.

Ai përshkroi se si, që nga arrestimi i tij i parë në vitin 1981, ai u përball me dhunë dhe tortura të vazhdueshme nga UDB-ja.

Loci, sipas Selmanajt, kishte përdorur metoda brutale.

“Aty [në Pejë], filloi marrja në pyetje të paktën tri ditë e tri net, kemi qëndru në ato dhoma të UDB-së. Na lidhën duart në radiator. Torturat ishin të njëpasnjëshme. Më së shumti që janë marrë me mua, që kanë bërë tortura ka qenë një serb dhe Mehmet Loci, por ka pasur ehe të tjerë me provokime. Por dy që kanë qenë ekskluzivisht me mua kanë qenë këta dy. Më kujtohet një natë, në ato dhoma të burgit, nuk maltretoheshin dy-tre, por ishin disa. Islam Mustafaj, Bajram Mehmetaj, Nasim Haradinaj e plot, u nishin britmat duke i torturu”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj përshkroi se metodat e torturës përfshinin goditje me grushte dhe shufra hekuri, dhe theksoi se goditjet në këmbë ishin jashtëzakonisht të dhimbshme.

“Përveç grushteve e shuplakave, me pendrek, na ka rreh shumë duarve, janë ajë s’kemi mund të kapi asnjë stilolaps. Tortura më e vështirë ka qenë këmbëve, shumë e papërballueshme. I thonim shpirtit del por e kemi përballu. Kur mbërrike kulmi i torturës me njëqind e dyqind goditje, deka ka qenë seni më i mirë. Mirëpo që sot jemi gjallë i kemi mbijetu ato situata. S’kam qef me i rrëfy, por ideja juaj për këtë intervistë është e mirë. Kur jemi çliru menjëherë ndërkombëtarët… kish qenë mirë shteti me i marrë në pyetje jo me i torturu, por vetëm me i marrë në pyetje”, tha ai.

Megjithëse Mehmet Loci ishte torturuesi kryesor që përmendet në rrëfimin e Selmanajt, ish i burgosuri theksoi se kishte edhe të tjerë që merrnin pjesë në këtë dhunë të organizuar.

Ai gjithashtu përmendi Demë Mujën, një shqiptar tjetër i UDB-së, i cili e kishte marrë në pyetje gjatë arrestimit të tij të katërt, por që, sipas Selmanajt, nuk kishte marrë pjesë në torturat fizike ndaj tij.