Lajme

​Selmanaj: Kurti po ju del në mbrojtje atyre që kanë abuzuar me paranë publike

By GAZETA SCANNER 1

October 24, 2024

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj deklaroi se kryeministri Albin Kurti po ju del në mbrojtje atyre që kanë abuzuar me paranë publike. Sipas tij, ai ka harruar të gjitha premtimet që dikur bënte për KEK-un, ndërkohë që siç u shpreh ai, energjia elektrike pas ardhjes në pushtet të LVV-së u rrit për 100 për qind. Ai e konsideroi të domosdoshme që të zgjerohen hetimet, duke përfshirë ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Dejona Mihali e kryeministrin Albin Kurti.

Kështu u shpreh ai në seancë të jashtëzakonshme të ftuar nga opozita, ku po diskutohet për “skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës”.

Nëse mbani mend zotëri Kurtin dikur thoshte që ‘populli i Kosovës dhe njerëzit e Kosovës po rrinë mbi thëngjill dhe po paguajnë shumë shtrenjtë’ dhe me të ardhur në pushtet krejt çka ndodhi është që energjia elektrike në Kosovë u rrit për 100 për qind pothuajse. U harruan të gjitha ato që u thanë, u harruan të gjitha ato premtime ndërkohë që faktet natyrore nuk u ndryshuan, vetëm ndryshuan sjelljet politike. E dyta, akuzonin për politizim bordesh, akuzonin për politizim të institucioneve si ndërmarrje publike dhe çfarë bën, njeriun e parë që e dërguan për të udhëhequr ose në pozitën e kryeshefit ekzekutiv në KEK, e dërguan personin që udhëhiqte Komitetin për Energji në LVV, Nagip Krasniqin, i cili sot është prapa grilave”, tha Selamanaj.

Përveç tregtimit me energji, siç deklaroi Selmanaj, me një kompani që nuk ka pasur licencë, ai tha se LDK ka ngritur shqetësimet për tregtim edhe me kompani të dyshimta.

Ai konsideroi se është e domosdoshme që të zgjerohen hetimet.

“LDK është e bindur që përtej zotëri Nagip Krasniqit, duhen zgjeruar hetimet. Hetimet duhet të shkojnë përtej, duhet parë edhe niveli politik i përgjegjësisë, ministrja Rizvanolli, zonja Dejona Mihali deri tek Albin Kurti. Ne e kemi parë në komunikimet që ky person, Dejona Mihali, del të jetë personi më i fuqishëm në Kosovë pas kryeministrit. Është përfshirë madje edhe se kur Kosova duhet të ketë reduktime e kur jo, është përfshirë në punimet, në komunikatat, në raportimet kur deputetët kanë bërë në rrjedhën e mbledhjeve të bordit të KEK-ut dhe kjo del që është mbi gjithçka. Madje del se duhet të vendos se a duhet të vendos dikush kapele apo jo në takimet me të”, përfundoi ai.