Lajmest-slider

Selimi pjesë e Forumit Ministror ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për punë të drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka marrë pjesë në Forumin Ministror ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për punë të drejtësisë të kryesuar nga Ministrja  e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve së Republikës Federale të Gjermanisë znj. Christine Lambrecht.

Në këtë Forum, është diskutuar për ndikimin e pandemisë COVID-19 në sistemin e drejtësisë dhe të drejtat themelore, përdorimi i teknologjisë së komunikimit në distancë (video-konferencë) dhe qasja në drejtësi në epokën digjitale, si dhe sundimi i ligjit dhe reformat gjyqësore.

Gjatë këtij Forumi, ministri Selimi tha se Pandemia COVID-19, ka ndikuar edhe në qasjen fizike në drejtësi por sipas tij, është siguruar që masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës të mos sjellin kufizime dhe bllokim të punës në sistemin e drejtësisë.

Njëra nga këto masa sipas ministrit Selimi, është mbajtja e seancave gjyqësore duke përdorur teknologjitë e komunikimit në distancë, të cilën e kanë praktikuar edhe disa prej gjykatave në Kosovë. /Scanner/