Op/Ed

Selajdin Gashi – përkthyes, poet dhe mik i shqiptarëve në Gjermani

Nga Mimoza Kelmendi

Lajmi i së shtunës (10.04.) se Selajdini nuk është më mes nesh, na tronditi thellë. Së pari familjen e tij, miqtë e ngushtë apo kolegët ndër vite, por edhe gjithë  komunitetin shqiptar në Këln, Bon, Bergish Gladbah, Dyseldorf  etjer. Me përvojën e tij mbi tri dekada si përkthyes, njohës shumë i mirë i gjuhës gjermane dhe shqipe, ai ka  qenë mjaft i njohur nga bashkëatdhetarët e tij. Edhe si gazetar apo shkrimtar, emri i Selajdin Gashit u bë i njohur duke gëzuar respekt kudo në vitet 90′. Prej vitesh ishte anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve shqiptarë në Gjermani dhe anëtar i shoqatës kulturore shqiptare-gjermane, UraCult në Këln duke kontribuar në çdo aktivitet me përkushtim të madh.

Selajdin Gashi lindi në vitin 1962 në Nikushtak të Kumanovës (sot Maqedonia Veriore). Arsimin fillor dhe të mesëm e bëri në vendlindje dhe më pas në Prishtinë. Në vitin 1984 vjen në Gjermani ku studjon degën e Gjermanistikës dhe Filozofinë në Universitetin e Këlnit. Paralelisht ai punonte si përkthyes në disa institucione. Në vitin 1992  emërohet koordinator dhe modeator në emisionin shqip të radios gjermane WDR dhe po ashtu në vitet më pas edhe si bashkëpunëtor i redaksisë shqipe të radios Deutsche Welle.  Në vitin 2000 boton vëllimin e parë me poezi „Asnjë fjalë“ dhe në vitin 2012 librin me poezi „Labirint“. Shkrimtari i njohur Adem Gashi, mik i poetit do ta vlerësojë me këto fjalë vëllimin e dytë të Selajdin Gashit: „Lirika e Selajdinit në timbrin e vet vjen  më e thelluar dhe më e lartësuar duke ruajtur ngjyrimet origjinale të autorit si botëperceptime estetike të mëvetësishme me patriarkun e letërsisë. Në vargjet e këtij libri ai ka rindërtuar biblën e re poetike, parajsën e humbur me një Evë pafajsie“.

Një nga miqtë e tij të ngushtë dhe njeri i letrave që jeton në Gjermani, Faruk Tasholli, shkruan mjaft i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Selajdin Gashit : “Ti ishe ndër ata burra që nga Kosova u shpërndanë nëpër botë dhe nderuan kudo vendin tonë të vogël. Puna jote si gazetar, si përkthyes letrar nga shqipja në gjermanisht dhe mbi të gjitha krijimtaria jote letrare, nderuan komunitetin shqiptar në Gjermani. Ti ndihmove shumë bashkëkombas në kushtet më të rënda në Gjermani, kur dhuna serbe në vitet nëntëdhjetë i shpërndau si vetë e qyqes. Ti ishe një njeri i rrallë, i kompletuar, me integritet të lartë intelektual dhe kombëtar.“ Në vitin 2015 Selajdin Gashi botoi në gjermanisht librin „Schlaflos mit Kleopatra“ (I pagjumë me Kleopatrën).

Selajdin Gashi ishte siç shkruan gazetari i njohur i Deutsche Welle-s dhe mik i ngushtë i tij, Bahri Cani: „Një njeri me zemër të madhe, koleg dhe shkrimtar i respektuar“ :

Lamtumirë miku ynë, Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!