Lajme

Sekuestrohen rreth 100 kg drogë, arrestohen dy persona (Video)

By GAZETA SCANNER 1

November 03, 2024

Dy persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës në operacionin policor të koduar “Kalaja”.

Drejtoria e Antidrogës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, i kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 100 kilogramë drogë.

Në komunikatën e policisë, thuhet se substanca narkotike është e llojit marihuanë.

Operacioni policor është realizuar në një qender tregtare në rr. Magjistrale Pejë-Deçan.

“Pas kryerjes së arrestimeve është vazhduar me bastisje dhe deri në këtë fazë në fshatin Raushiq të Pejës janë gjetur rreth 100 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, sasi kjo në gjendje të ndryshme, disa prej tyre e gatshme dhe tjerat në formë të bimëve duke u terur e cila është sekuestruar”, thuhet në njoftim.

Tutje, organet e rendit theksojnë se bimët kanë qenë të kultivuara në oborrin e një fermë në afërsi të një shtëpie në fshatin Raushiq dhe sasia e tyre është 213 bimë.

“Policia e Kosovës, nën dyshimet e ngritura, operacionin policor e ka vazhduar me bastisje/kontroll edhe në fshatin Barilevë të Prishtinës, ku poashtu është gjet një sasi e vogël si substancë e dyshuar narkotike. Po ashtu janë sekuestruar edhe 4 vetura të ndryshme si mjete të veprës penale. Në vendin e ngjarjes kanë dal prokurori kompetent, si dhe forenzika e PK-së për procedura tjera të nevojshme. Rasti mbetet të hetohet nga njësitet kompetente të antidrogës dhe Prokuroria Themelore në Pejë”.