Këshilla mjekësore

Sekreti i orarit të ngrënies për të rënë nga pesha

By GAZETA SCANNER 1

April 02, 2024

Ushqyerja është e lidhur ngushtë me rënien në peshë po aq sa shpërndarja e vakteve gjatë ditës. Nga studimet e vazhdueshme për këtë çështje, ekspertët kanë dalë në konkluzionin se ngrënia e vakteve herët gjatë ditës mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të peshës.

Studimi më i fundit analizoi mënyrën dhe orarin e të ngrënit të disa personave duke i ndarë ato në disa kategori.

Për katër ditë me rradhë, grupi i parë i konsumoi të gjitha vaktet nga ora 08:00 deri në orën 14:00. Grupi i dytë i konsumoi të gjitha vaktet nga ora 08:00 deri në orën 20:00. Në fund të periudhës së provës, studiuesit zbuluan se grupi i parë nuk dogji shumë kalori ama pësoi një rënie të oreksit.

Ata konfirmuan se hormoni i urisë ghrelina ishte në nivele më të ulëta në mëngjes, por akoma më të ulëta në mbrëmje. Dëshira për të ngrënë ishte më e ulët kur njerëzit ushqeheshin me orar, por rritej rreth orës 22:30 pak përpara gjumit.

Grupimi i vakteve nuk është i përshtatshëm çër të gjithë

Studiuesit shpjegojnë se grupimi i të gjitha vakteve brenda një fashe orari nuk është një qasje e përshtatshme për të gjithë. Për shembull, personat që merren me sport kanë shumë vështirësi për tu mësuar me një mënyrë të tillë ushqyerje.

Ata kanë një orar të caktuar ushqimi dhe aktiviteti fizik dhe zbatimi i një metode të tillë nuk u vjen për shtat. Personat që vuajnë nga diabeti kanë probleme të tjera dhe kjo sëmundje i detyron ato të hanë më shpesh. Gratë shtatzëna apo persona që vuajnë nga sëmundje të rënda, mund ta kenë të vështirë që të konsumojnë të gjithë vlerat ushqimore në aq pak kohë.

Gjithashtu personat që kanë patur probleme me çrregullime me ushqyerjen siç janë rastet e anoreksisë apo bulimisë, një regjim i tillë nuk këshillohet.

Këshillat që duhen ndjekur

Gjithsesi para se të ndërmerrni këtë hap, sugjerohet që të këshilloheni parimisht me mjekun përkatës. Këshillohet gjithashtu që të mos e lini mëngjesin pa ngrënë, duke qenë se është dhe vakti më i rëndësishëm i ditës.

Nëse vini re që gjatë këtij regjimi trupi juaj jep shenja si marramendja, nivel i ulët i sheqerit apo i tensionit, ndërpriteni menjëherë. Si dhe ajo që është e rëndësishme është që të mos hani më shumë se zakonisht gjatë orareve të përcaktuara, pasi kështu do të shtoni në peshë.