Lajme

Sejdiu: Le të më falin Lajçaku e Borrelli, por ata nuk janë Ahtisaari e as Rohani

By GAZETA SCANNER 1

October 21, 2023

Ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka folur për Asociacionin, marrëdhëniet me partnerët e procesin e dialogut në një intervistë ekskluzive për lajmi.net.

Sejdiu thotë se Asociacioni është një mekanizëm ndihmës dhe asnjëherë nuk duhet të shndërrohet në një institucion ekzekutiv.

“Unë e thashë atë për Asociacionin. Ahtisaari e ka përshkru shumë mirë. Ai është një mekanizëm ndihmës. Nuk është diçka që duhet të shndërrohet në institucion ekzekutiv apo vendimmarrës siç pretendojnë serbët. Prandaj ajo që është në shkronjën e Kushtetutës, nuk mund të shkelet. Është e nevojshme që të ketë konsultë me faktorët të rëndësishëm”, ka thënë Sejdiu.

Duke folur për emisarët në dialog, Sejdiu shton se Lajçaku e Borrelli nuk janë Ahtisaari e as Rohani.

“Çdo gjeneratë e ka për borxh në mandatin që ka të jetë shumë e përgjegjshme, në mënyrë që të nxjerrë rezultatin e mirë për vendin, për popullin që përfaqësojnë dhe kujtoj se ka dallime në procese, krahasimisht me fazën e mëhershme. Unë flas edhe në pjesën e moderatorëve apo intermediatorëve që nuk janë njësoj. Borrelli e Lajçaku le të më falin por ata nuk janë Ahtisaari as Rohani. Janë diçka pak më ndryshe dhe mund të jetë ndonjëhere diçka që nuk e jep rezultatin e pritur dhe vet stërzgjatja e procesit kaq shumë nuk është në rregull”, ka shtuar Sejdiu.