Botë

Së paku katër të vdekur nga zjarri në një bllok banesor në Valencia të Spanjës

By GAZETA SCANNER 1

February 23, 2024

Një zjarr i madh ka lënë të paktën katër persona të vdekur në një bllok banesor shumëkatësh në qytetin spanjoll, Valencia, thonë shërbimet emergjente.

Flaka kaploi një bllok 14-katësh në lagjen Campanar dhe u përhap edhe në një ndërtesë tjetër ngjitur me bllokun, raporton televizioni BBC.

Së paku 14 persona, përfshirë gjashtë zjarrfikës dhe një fëmijë të vogël, kanë pësuar lëndime.

Zjarrfikësit u panë duke shpëtuar njerëz nga ballkonet, ndërsa 19 persona besohet se ende janë të zhdukur.

Era e fortë e ndihmoi zjarrin, por ka dyshime edhe që shtresa e jashtme e objektit, që ishte shumë e ndezshme, e ka mundësuar përhapjen e shpejtë të flakës.

Ndërtesa e kapluar nga flaka ka 138 banesa dhe në të banonin 450 persona, raportoi gazeta “El Pais”, duke e cituar menaxherin e bllokut.

Në raportimet lokale thuhet se zjarrfikësit kishin shpëtuar disa banorë duke përdorur vinça, përfshirë një çift që jetonte në katin e shtatë.

Një grua i tha televizionit TVE se ajo kishte parë zjarrfikës duke u përpjekur që të shpëtonin një adoleshent që kishte mbetur i ngujuar në katin e parë.