Neighborhoods destroyed by tornadoes are seen in this aerial photo in the aftermath of Hurricane Milton, Thursday, Oct. 10, 2024, in Fort Pierce, Fla. (AP Photo/Gerald Herbert)

Botë

Së paku 14 të vdekur nga uragani Milton

By GAZETA SCANNER 1

October 11, 2024

Një person raportohet të ketë vdekur sot në një aksident trafiku ndërlidhur me uraganin Milton në Fort Meade, ka njoftuar policia e Qarkut Polk.

Kjo vdekje çon në 14 numrin e viktimave të ndërlidhura me stuhinë, raporton “NBC News”.

Uragani Milton le pas vetes gjurmë të mëdha shkatërrimi, veç rrezikut për jetën. Ekspertët në ShBA presin dëme të jashtëzakonshme, por edhe pasoja ekonomike. Sipas analistëve të agjencisë “Morningstar DBRS”, dega e sigurimeve mund të përballet me dëme nga 60 deri në 100 miliardë dollarë.

Milton mund të tejkalojë kështu dëmet e uraganit Katrina, deri tani më i kushtueshmi në ShBA. Në vitin 2005 ky uragan goditi rëndë Nju Orleans dhe shkaktoi dëme në vlerë 99,8 miliardë dollarë, dëmet e përgjithshme arritën madje shifrën 201 miliardë dollarë. Llogaritja vjen nga “Munich Re”, një nga sigurimet më të mëdha në botë.

Uragani Milton jo vetëm që pritet të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike, por edhe efektet në vëllimin e përgjithshëm ekonomik të ShBA mund të jenë të mëdha. Rreth 28% e prodhimit të përgjithshëm bruto mund të preket drejtpërdrejt nga Milton, është shprehur Ryan Sweet, kryekonomist i “Oxford Economics” në ShBA, shkruan DW.

Gregory Daco, kryekonomist në qendrën e konsulencës, “EY”, llogarit se Milton mund të zvogëlojë ndjeshëm rritjen e prodhimit të përgjithshëm ekonomik në ShBA në tremujorin e katërt nga 0,2 deri në 0,4%.

Milton iku, por mbeten lajme të rreme

Qeveria në Uashington është e shqetësuar për lajmet e rreme që qarkullojnë në mediat sociale mbi qendrën e mbrojtjes nga katastrofat, FEMA. Si psh., gjoja kërkesa që të mos largohen njerëzit nga shtëpitë, sepse FEMA do të konfiskojë shtëpitë dhe trojet e tyre.

Ish-presidenti Trump i nxit këto lajme të rreme. Ai tha në një fjalim elektoral në Detroit, se pas Helene dhe Milton, guvernatorët republikanë në Florida, Xhorxhia, Karolinën e Veriut “bëjnë një punë të shkëlqyer”, por jo qeveria federale me presidentin Biden dhe Kamal Harris.

Presidenti Biden tha në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë se kushdo që përhap gënjeshtra të tilla minon besimin e njerëzve në operacionet e shpëtimit dhe ndihmës. Kur u pyet nga një gazetar nëse ai kishte folur personalisht me Trumpin për këtë, Biden shpërtheu. “A po tallesh”, e pyeti Biden, pastaj tha: “Zoti Trump, ish-president Trump, a nuk keni ndonjë gjë më të mirë për të bërë, o njeri? Ndihmojini këta njerëz!”.