Botë

Scholz: Putin ka dështuar në qëllimin e tij për ta ndarë Evropën

By GAZETA SCANNER 1

May 17, 2023

Ka 15 muaj që Rusia filloi pushtimin e Ukrainës.

Ndërsa Kievi vazhdon të mbrohet me armët e siguruara nga aleatët evropianë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha të mërkurën se po krijohet një regjistër i dëmeve nga pushtimi i Ukrainës në mënyrë që të kërkohet llogari nga Moska për veprimet e saj.

Scholz i bëri komentet gjatë një takimi në kryeqytetin islandez, ku delegacionet nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës diskutuan se si organizata e shquar e të drejtave të njeriut mund të mbështeste Ukrainën në rrugën e saj për liri.

“Për të dokumentuar dëmet e tmerrshme të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, Këshilli i Evropës po krijon një regjistër të dëmeve, duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare për të kërkuar llogari nga Rusia për pasojat e veprimeve të saj brutale. Si një anëtar themelues, Gjermania po kontribuon në financimin dhe punën e regjistrit të dëmeve”, tha kancelari gjerman.

Duke folur në emër të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës, Scholz tha se mesazhi i tyre i përbashkët është se presidenti rus Vladimir Putin ka dështuar në qëllimin e tij për ta ndarë Evropën.

“Ky samit i Rejkjavikut tregon qartë se Vladimir Putin ka dështuar në qëllimet e tij për ta ndarë Evropën dhe  se ai ka arritur të kundërtën e asaj që donte.  Evropa sot është më e bashkuar se kurrë më parë. Ky është mesazhi ynë i përbashkët nga Reykjavik”, u shpreh Scholz.

Një raport i Bankës Botërore ka vlerësuar se Ukrainës do t’i nevojiten  411 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme për t’u rikuperuar dhe rindërtuar nga bombardimet e Moskës. /Tëvë1/