Ministri për Evropë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare i Austrisë, Alexander Schallenberg, tha se 16 vjet nga pavarësia, Austria vazhdon të qëndrojë me Kosovën.
Ai ka shkruar në platformën ‘X’, për takimin që ka pasur me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, e cila po vazhdon vizitën në Austri.
“Me kënaqësi e mirëpres Gërvalla-Schwarz në Vjenë. 16 vjet nga pavarësia, ne vazhdojmë të qëndrojmë fort pranë Kosovës”, ka shkruar ai.
Sipas tij, “angazhimi konstruktiv nga të dyja palët në dialogun Kosovë-Serbi është çelësi për zhbllokimin e derës së BE-së”.
Ndërkaq sot gjatë ditës, Gërvalla tha se e njoftoi homologun austriak rreth proceseve të brendshme politike në vend, duke prezantuar progresin e arritur në demokratizim, sundim të ligjit, rritje ekonomike, respektim të të drejtave të njeriut, liri të mediave dhe infrastrukturë moderne për investime ndërkombëtare.
“Temë tjetër me rëndësi e diskutuar mes dy mistrave ishte edhe informimi në detaje rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë, si sulmi në Banjskë, sulmi ndaj KFOR-it dhe veprimeve tjera që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhej në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës.