EkonomiLajme

Sanksionet: Shqipëria ul varësinë nga nafta ruse, gruri rus u zëvendësua me atë serb

Edhe në muajin prill tregtia e jashtme vijoi të rritej në krahasim më një vit më parë. Eksportet u rritën 46% në bazë vjetore, ndërsa importet me 23%.

Grupet kryesore që ndikuan në rritjen e eksporteve ishin mineralet, lëndët djegëse, materialet e ndërtimi dhe tekstilet. Të njëjtat grupe rritën edhe importet në vend, por faktor kryesor janë edhe çmimet e rritura të produkteve, pasi në peshë sasia e mallrave të importuara dhe eksportuara është më e ulët ose e barabartë në krahasim me një vit më parë.

Ajo që bie në sy është se Shqipëria ka ulur në mënyrë drastike tregtinë me Rusinë, nga 1.57 miliardë lekë mallra, në 278 milionë lekë prillin e këtij viti. Nga krahu tjetër, me Ukrainën vendi ynë ka ulur importet, por ka rritur eksportet, gati duke i dyfishuar në vlerë. Ukraina është një konsumuese e frutave dhe perimeve Made in Albania.

Një tjetër fakt që bie në sy nga shifrat e prillit është se sa i përket grurit vendi ynë ka marrë 9 mijë tonë më pak nga Rusia, por kjo është kompensuar tërësisht nga Serbia, nga ku importuam 10 mijë tonë më shumë, gjë e cila ka sjellë dhe rritjen në vlerë.

Për ushqimet vendi ynë ka rritur sasinë e importeve edhe nga vende të tjera ku në sy bie Franca, Bullgaria dhe Polonia.

Sa i përket karburanteve vendi ynë ka ulur në vlera minimale importin e naftës me Rusinë, nga 22 mijë ton që merrnin prillin e një viti më parë, në 1 mijë ton, ndërsa  po furnizohet më shumë nga shtetet si Algjeria, Izraeli, Turqia dhe ajo që bie në sy është Kolumbia, nga ku morëm 3 mijë ton më shumë lëndë djegëse në prill të këtij viti.

Ndërkohë, sektori që po shfaqet me ecurinë më të mirë në eksporte është ai i Tekstileve. Me Italinë i kemi rritur eksportet me rreth 3 miliardë lekë, ndërsa fasonët kanë gjetur edhe tregje të reja për mallrat e tyre si SHBA, Koreja e jugut, Kanada, Maroku dhe Portugalia.

Në muajin Prill 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Prill 2021 janë: Italia Gjermania dhe Greqia. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Turqia me rritje të fortë, Greqia dhe Italia. Me vendet e BE vazhdojmë të kemi 61% të volumit të tregtisë së jashtme.