Botë

Sanksione të reja nga BE-ja dhe G7-ta për gazin rus

By GAZETA SCANNER 1

May 14, 2023

Bashkimi Evropian dhe grupi i shtatë vendeve më të zhvilluara (G7) synojnë të ndalojnë rifillimin e transportit të gazit nga Rusia.

Siç shkruan Financial Times, do të jetë hera e parë që vendet perëndimore ndalojnë transportin e gazit përmes tubacioneve të gazit nga Rusia që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Vendimi pritet të bëhet zyrtar javën e ardhshme në samitin e liderëve të G7-së në Hiroshima dhe do të parandalojë rifillimin e furnizimit me gaz natyror nga Rusia në vende si Polonia dhe Gjermania, të cilat Rusia i ka shkëputur më parë furnizimet.

Vendet perëndimore duan të pengojnë Rusinë që të rrisë të ardhurat e saj nga eksportet e energjisë. Po ashtu, kjo lëvizje duhet të “sigurojë që partnerët të mos ndryshojnë mendje në një të ardhme hipotetike”.

Në projektvendimin e G7-së thuhet se qëllimi është të zvogëlohet më tej varësia nga burimet ruse të energjisë “përfshirë rihapjen e flukseve të mbyllura më parë nga Rusia, e cila përdorte energjinë si armë, të paktën deri në zgjidhjen e konfliktit”.

Që nga fillimi i luftës, BE-ja ka shmangur masat që synojnë tubacionet e gazit për shkak të varësisë së saj të lartë nga gazi rus. Nga ana tjetër, Rusia pezulloi furnizimet përmes disa tubacioneve të gazit, gjë që shkaktoi një rritje enorme të çmimit.

Në muajt e fundit, çmimet e gazit kanë rënë ndjeshëm për shkak të rënies së kërkesës gjatë dimrit, përshpejtimit të ndërtimit të burimeve të rinovueshme dhe importit të LNG-së. Si rezultat, pjesa e gazit rus në importet e BE-së ra nga mbi 40 për qind në rreth 10 për qind.

Gjithashtu, depozitat evropiane të gazit janë aktualisht me kapacitet rreth 60 për qind krahasuar me vetëm rreth 30 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.