Botë

Samiti për klimën përfundon pa marrëveshje

Bisedimet maratonike ndërkombëtare për klimën përfunduan pa ndonjë marrëveshje, ndërkohë që negociatorët shtynë madje për vitin e ardhshëm vendimin kryesor për mënyrën e rregullimit të tregjeve globale të karbonit.

Negociatorët nga gati 200 vende u mblodhën në Samitin e OKB-së për Klimën në Madrid për të dhënë deklarata ku kërkuan ambicie më të mëdha për zvogëlimin e emetimeve të gazrave serë që ngrohin planetin dhe për të ndihmuar vendet e varfra që vuajnë nga ndryshimet klimatike.

Megjithatë, përkundër mbajtjes së bisedimeve më të gjata për klimën ndonjëherë në 25 sesionet e deritanishme, ata lanë një nga problemet më të rënda për samitin e vitit të ardhshëm në Glasgou.

Ndër dokumentet e para të miratuara ishte deklarata “Koha e veprimit Kili-Madrid”, e cila u bënë thirrje vendeve të përmirësojnë premtimet e tyre aktuale për të zvogëluar emetimet e gazrave serë, e nevojshme për t’u përafruar me objektivin e Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015 për të shmangur një rritje të temperaturës më shumë se 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit.

Sipas gjendjes aktuale, rritja do të jetë nga tre deri në katër gradë celcius, që mund të ketë pasoja dramatike për shumë vende në botë.

Vendet gjithashtu ranë dakord të ndajnë fonde për vendet më të rrezikuara për të kompensuar efektet e ngjarjeve ekstreme të motit, që është një nga çështjet më të rëndësishme për shtetet e vogla ishullore dhe vendet e tjera në zhvillim.

Megjithatë, grupet mjedisore dhe aktivistët kanë akuzuar vendet më të pasura të botës se tregojnë pak angazhim për të trajtuar seriozisht ndryshimiet e klimës. Bisedimet shpesh janë shoqëruar me protesta të ashpra nga grupe indigjene dhe mjedisore, brenda dhe jashtë vendit, duke reflektuar një zhgënjim në rritje, veçanërisht midis të rinjve, për përpjekjet e ngadalta të qeverive për të frenuar ndryshimet klimatike.