Lajme

Sa janë të nevojshme ndryshimet ligjore për gjykim brenda kohës së arsyeshme?

By GAZETA SCANNER 1

May 26, 2024

Punës ia kanë filluar për projektligjin për realizimin e të drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor.

Nga Ministria e Drejtësisë, ky projektligj parashihet të procedohet së shpejti për konsultime publike.

Përpos që vlerësohet e domosdoshme një projektligj i tillë, kërkohet të shkojë paralelisht me disa ndryshime të tjera.

“Qeveria krahas miratimit këtij ligji që natyrisht do të jetë një empakt shtesë në këtë aspekt, duhet të angazhohet me Këshillat respektiv që të shikojë mundësinë e shtimit të buxhetit, shtimit të kapaciteteve me theks të veçantë të stafit mbështetës, me qëllim që të adresohet njëra prej sfidave kryesore në sistemin tonë të drejtësisë, që është zvarritja e madhe e lëndëve”, ka thënë avokati, Ardian Bajraktari.

Madje, theksohet rëndësia e thirrjes para përgjegjësisë për të gjithë akterët e drejtësisë.

“Është tepër e rëndësishme që të futet edhe përgjegjësia e zyrtarëve duke filluar nga procedura hetimore në polici e prokurori, e deri tek gjyqtari që të aktivizohen gjatë kohës së hetimeve, veçanërisht gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim. Kjo në mënyrë që të mos zvarriten proceset gjyqësore me vite të tëra, ashtu siç është duke vazhduar tash nëpër gjykata të Kosovës”, ka deklaruar avokati Skender Musa.

Në vazhdimësi ka pasur kritika për zvarritje të proceseve gjyqësore, përfshirë dhe gjetjet në raportet ndërkombëtare.