Lajme

Sa është çështje problematike mjedisi në Kosovë?

By GAZETA SCANNER 1

November 26, 2024

Çështjet mjedisore renditen ndër 10 problemet kryesore që shqetësojnë qytetarët e Kosovës.

Statistikat nga 2016 deri më 2024, të prezantuara në “Debat Plus” tregojnë një rritje të interesimit të qytetarëve për çështjet e mjedisit, me kulmin në vitin 2021 kur 10.10% e qytetarëve shprehën shqetësim për këtë temë.

Në vitin 2024, kjo shifër është 5.6%.

Valon Raka nga Organizata “Gjethi” dhe analisti Arton Demhasaj kritikuan Qeverinë Kurti për mungesën e projekteve konkrete në mbrojtjen e mjedisit.

“Entuziazmi ynë fillestar u zbeh nga mungesa e projekteve konkrete në terren. Dedikimi i Qeverisë për mjedisin mbetet i pamjaftueshëm,” deklaroi Raka.

Demhasaj shtoi se qeverisja aktuale nuk ka ndërmarrë masa për përmirësimin e ajrit, ujit dhe tokës, duke theksuar se situata mbetet e ngjashme me vitet 2019-2020.

Luan Shllaku, ish-Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, shpjegoi rëndësinë e Agjendës së Gjelbër si një set masash globale për trajtimin e krizave mjedisore.

“Agjenda e Gjelbërt synon dekarbonizimin, reduktimin e ndotjes, zhvillimin e ekonomisë qarkore dhe ruajtjen e diversitetit natyror,” tha Shllaku, duke theksuar nevojën për masa urgjente për të luftuar ngrohjen globale dhe ndotjen.

Demhasaj vuri në dukje se vetëdija e qytetarëve për mjedisin është rritur, por kërkohet angazhim më i madh institucional për të adresuar sfidat mjedisore.

“Qeveria duhet të marrë masa për ndalimin e ndotjes dhe degradimit të lumenjve, tokës dhe ajrit. Vetëdija institucionale duhet të ecë paralelisht me atë të qytetarëve,” theksoi ai.

Përkundër kritikave, ekspertët theksojnë rëndësinë e përfshirjes së qeverisë dhe shoqërisë civile për të ndjekur një qasje të qëndrueshme ndaj mjedisit, si pjesë e një angazhimi më të gjerë global për një të ardhme të gjelbër.