Op/Ed

Rusia vazhdon të ndërhyjë në “Treshen“ (rezultate zgjedhore, opinione publike e referendume) në ShBA e Evropë – Kosova aspak imune

Shkruan: Agron Hoti

Kur Rusia ia del të ndërhyjë edhe në „Treshen“ (rezultate zgjedhore, opinione publike dhe referendume) të demokracive të konsoliduara perëndimore, tregon më së miri se sa shumë mund të ndërhyjë në „Treshen“ e vendeve të Ballkanit, përfshirë Kosovën, ku Rusia ka interesa strategjike të pengimit me çdo kusht të pajtimit të popujve dhe integrimit të tyre në BE.

Akuzat e Presidentit Biden se Rusia po ndikon në zgjedhjet në ardhje për Senat të vitit 2022 në SHBA, flet shumë për rrezikun e madh të destruktivitetit rus për të shkatërruar rendin ndërkombëtar të demokracive liberale dhe të të drejtave të njeriut të prirë nga SHBA dhe perëndimi, rend ky nga i cili Kosova kishte fituar më së shumti duke u bërë shteti më i ri në botë. Edhe në Strategjinë për Siguri Kombëtare të SHBA-së përmendet Rusia e Kina me aleatë të tyre si sfiduese e rendit të rregulluar ndërkombëtar dhe si sfiduese të demokracisë në glob. Me një fjalë demokracia në botë ka shënuar prapakthim si rezultat i rritjes së regjimeve autoritare si p.sh. në Kinë, Rusi, Iran, Turqi, etj.

Rendet ndërkombëtare jodemokratike ishin ato që kurrë s‘i linin të jetonin të lirë shqiptarët, prandaj epoka në të cilën po jetojmë është e vetmja e artë deri me tani për Kosovën dhe Shqipërinë në veçanti si dhe tërë shqiptarët në përgjithësi. Ndërkohë që politikanë kalibri në Kosovë e Shqipëri për efekte të pastra elektorale e kontaminojnë shoqërinë shqiptare duke e minimizuar rolin e pakontestueshëm dhe jetik të SHBA-së dhe perëndimit për vetë ekzistencën e popullit shqiptar.

Nëse inteligjenca britanike kishte konstatuar ndërhyrjet ruse në referendumin për Brexit dhe nëse rritja e popullistëve nëpër vende të BE-së dhe Parlament Evropian ushqehet vazhdimisht nga ndërhyrjet ruse, atëherë kjo e shpjegon më së miri rritjen e frymës anti-Kosovë, anti-Shqipëri dhe anti-shqiptari aq shumë brenda BE-së dhe vendeve anëtare të saj, saqë është krijuar përshtypja që Kosova paska qenë e keqja e BE-së e jo Serbia që kishte bërë gjenocidëra nëpër vende të Ballkanit dhe që kishte terrorizuar sistematikisht shqiptarët mbi 100 vite. Mjafton të shikohet se kush po përkrahet sot më shumë nga BE (pra serbët apo shqiptarët) për ta kuptuar më së miri frymën anti-shqiptare brenda qarqeve të ndryshme të BE-së.

Nëse sot opinionet publike të ndikuara fuqishëm nga popullistët e mbështetur nga Rusia nëpër të gjitha vendet e BE-së i shohin vendet e tyre në rrezik rrëshqitjeje kah mjerimi social si rezultat i siç e thonë ata të udhëheqjeve politike të korruptuara, gjersa në realitet BE përbën ajkën e mirëqenies sociale në glob, tregon se sa fort janë kontaminuar opinionet publike nëpër vende të BE-së. Pra, qytetari i BE-së në realitet e ka mirëqenien më të lartë në botë, kurse përceptimin e ka që s‘ka bukë për të ngrënë shkaku i udhëheqjeve politike të korruptuara.

E njëjta logjikë është në Kosovë: qytetarët e Kosovës që mbi 2000 vite kurrë më mirë s‘kanë jetuar si sot, ndërsa përceptimi i tyre thotë se njerëzit në Kosovë vdesin urie. E këtu Rusia e mbështetur fuqishëm nga Kina përmes strategjisë së dezinformimit kanë arritur rezultate të larta për fat të keq. Sepse, përderisa Rusia qytetarëve të saj ua shet mjerimin e vet të lartë social si zhvillim të lartë ekonomik, në BE, përfshirë Kosovën, ua shet zhvillimin ekonomik si mjerim social në rritje. Me një fjalë, qytetarët në Rusi vetëgënjehen se po jetojnë në zhvillim të lartë ekonomik, kurse qytetarët e BE-së dhe Kosovë në mjerim social në rritje. Kuptohet jo të gjithë mendojnë kështu, por sigurisht që një masë kritike tashmë po. E pikërisht kjo masë kritike sot ndikon diskursin publik e politik në vende të BE-së dhe Kosovë.

Sipas qarqeve të ndryshme të BE-së, së paku sipas logjikës së bllokimit dhe izolimit të Kosovës të ndikuar fuqishëm nga Rusia me aleatë brenda BE-së, na del që Kosova e paska gabim që ka orientim tërësisht perëndimor, që e përkrah me tërë qenien këtë rend liberal të ndërtuar nga perëndimi, që është miqësore ndaj fqinjëve, që bën të pamundurën të arrijë standardet e BE-së shumicën e të cilave BE kurrë s‘i ka plotësuar, kurse sipas të të njëjtave qarqe të BE-së, prapë sipas logjikës së trajtimit ndryshe të Kosovës e ndryshe të Serbisë nga qarqe të BE-së të ndikuara nga Rusia, na del se Serbia e paska mirë që qenka e orientuar kah lindja, që e sfidon rendin liberal ndërkombëtar të bërë nga perëndimi, që është armike ndaj fqinjëve, s‘ua njeh kufijtë dhe i destabilizon, që nuk ka kurrfarë interesi për arritjen e standardeve të BE-së dhe as që i bën për anëtarësim në BE. Pra, nëse Serbia shpërblehet vazhdimisht nga BE dhe Kosova bllokohet dhe izolohet në integrim, atëherë logjika e thotë që edhe Kosova qenka dashur të vepronte njëjtë ndoshta edhe më vrazhdë se Serbia për t‘u trajtuar dinjitetshëm nga BE.

Pra, Rusia me ndihmën e Kinës ia kanë dalur që shumë liderë të vendeve të BE-së ta shohin të ardhmen te Rusia e Kina e jo më te BE. Për fat të keq tanimë shumëkushi edhe në Kosovë shpëtimin e sheh në lindje e jo në perëndim. E këtu fajet i kanë edhe vendet mbi mesatare zhvillimore të BE-së, të cilat duke u kujdesur vetëm për ruajtjen e mirëqenies së lartë të qytetarëve të tyre, kanë lënë pas dore Evropën Jugore, Lindore dhe Juglindore dhe kjo zbraztësirë pastaj është shfrytëzuar me përpikmëri të lartë nga Rusia, Kina dhe pse jo Turqia. Edhe Ballkani është lënë saktësisht ashtu pas dore, gjersa Rusia me dezinformim si dhe Kina, Turqia dhe Vendet Arabe me investime të shumta të tyre po e shfrytëzojnë zbraztësirën e BE-së.

Është pikërisht shpërndarja e pabarabartë e pasurisë gjithandej BE-së ajo që ka ushqyer ndjenjat anti-BE brenda vetë BE-së. Si rezultat i kësaj kemi sot një Francë që 1) nga brenda është tepër e thyer nga popullistët e mbështetur nga Rusia, 2) nga humbja në rritje e peshës ekonomike dhe pse jo politike në BE në raport Gjermaninë saqë nesër do të dilte nga BE, si dhe 3) telashet e mëdha me Gjermaninë por të pathëna publikisht për mënyrën se si duhet orientuar BE-në.

Dalja e Britanisë së Madhe nga BE përpos që e ka goditur për vdekje projektin evropian ka thelluar edhe më shumë hendekun e heshtur mes Francës e cila mundohet ta frenojë Gjermaninë si në bashkëpunimin e saj me SHBA ashtu edhe me Rusi, sepse kjo i siguron Gjermanisë qëndrueshmëri afatgjatë ekonomike dhe fuqizim gradual politik dhe e tëra kjo shkon në disfavor të Francës. Pikërisht këtu është problemi i Francës për bllokimin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Sepse një zhbllokim i Kosovës nga Franca automatikisht do të thotë hapje edhe më shumë e perspektivës ekonomike dhe pse jo politike gjermane në Kosovë dhe Ballkan Perëndimor.

Pastaj, kemi një Itali, Hungari, Greqi, Spanjë, Portugali, Poloni, Çeki e Sllovaki që për qejf nesër do të dilnin nga BE. Të gjitha këto çojnë ujë te projekti rus për përçarjen e BE-së, dobësimin dhe mundësisht zhbërjen e saj. E dobësimi apo zhbërja e BE-së e dobëson perëndimin dhe çon ujë te Rusia e Kina me aleatët e tyre që tërë arsenalin e investojnë në dobësimin apo rënien e perëndimit si fuqi dominuese në glob.

Edhe varësinë e BE-së nga energjia ruse, Rusia e kapitalizon në favor të përçarjes së raporteve transatlantike. Përderisa Gjermania, për shkak të kaluarës së saj dhe për shkak të opinionit publik të saj tejet anti-energji bërthamor, e ka të pamundur ta sigurojë energjinë përmes ndërtimit të centraleve të shumta të nevojshme bërthamore, ndaj e vetmja zgjidhje për sigurim energjie mbetet gazi dhe nafta ruse.

Një rritje eventuale e numrit të centraleve bërthamore në Gjermani sado për përdorim civil, i prish seriozisht balancat me Francën dhe Britaninë e Madhe, të cilat janë të vetme në Evropë me armë bërthamore. Kjo sepse një Gjermani e fuqishme ekonomikisht i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme që brenda një kohe shumë të shkurtër t’i kthejë të gjitha centralet bërthamore civile për përdorim ushtarak. E nëse kjo do të ndodhte paqja në Evropë do të merrte fund.

Prandaj, Franca e Britania e Madhe ose duhet ta durojnë një Gjermani që bashkëpunon me Rusinë në rrafshin energjetik, ose një Gjermani me centrale bërthamore për qëllime civile; mes nuk ka, sepse ekonomisë gjigante gjermane i mungon energjia, prandaj ajo duhet importuar atë mundësisht nga vendi më i afërt e që është Rusia. Në këtë kontekst ndodhi edhe Brexit, sepse Britania e Madhe nën dirigjimin e Brukselit e kishte të pamundur të mirëmbante dhe projektonte aleancën strategjike me SHBA.

Sigurisht që pothuaj asnjë vend i BE-së nuk është i kënaqur nga bashkëpunimi i theksuar gjermano-rus, por ky është çmimi që duhet paguar vendet e BE-së nëse duan BE. Dhe të gjitha këto projeksione përçarëse është duke i përdorur Rusia. Edhe problemi i Kosovës me Serbinë ka ngecur tashmë mes dy rrymave, asaj amerikano-britanike dhe Evropës kontinentale, kryesisht asaj gjermane.

Të njëjtat projeksione Rusia i implementon edhe në Ballkan, përfshirë Kosovën. Nuk mund të them që Rusia ka ndikuar në rezultatet zgjedhore në Kosovë, por ndarja e polarizimi ekstrem në Kosovë si kurrë më parë në historinë e shqiptarëve mes ‚patriotëve‘ dhe ‚tradhëtarëve‘, ku antiamerikanizmi ka kapur majat si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, ku si në Kosovë as në Shqipëri s‘mund të ndërtosh konsensus as për gjërat më banale, ku i keqi shitet për i mirë dhe i miri për i keq, ku antikombëtari shitet për kombëtar dhe e kundërta, flet shumë për ndikimin e madh dhe të padiskutueshëm rus. Nuk duhet harruar se kontaminimit të shoqërisë në Kosovë dhe Shqipëri i ndihmon jashtëzakonisht shumë edhe investimi i Turqisë në fushën e kulturës dhe islamit politik për ta kthyer lavdinë turke në rajon. Pra, Turqia po investon miliona euro në promovim kulture e historie turke si dhe në islamin politik në Ballkan, Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore saktësisht siç po bën Kina në nivel global.

Nëse në Kosovë e Shqipëri nuk ka të dhëna, së paku jo publike, për ndërhyrjet ruse në rezultate zgjedhore, ndërhyrjet ruse në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Veri të Kosovës dhe Kisha Serbe në Kosovë janë evidente.

Fundja, kur Rusia ia del të ndërhyjë në „Treshe“ (rezultate zgjedhore, opinione publike e referendume) në SHBA, Britani, Francë e Gjermani, shtete këto me demokracira të konsoliduara, pse s‘do të mund të ndërhynte në një demokraci të re si Kosova që ka vetëm 13 vite shtetësi edhe atë ende të papërfunduar tërësisht shkaku i problemit kronik me Serbinë të ushqyer fuqishëm nga Rusia. Prandaj, Kosova e Shqipëria duhet të dalin me një strategji të përbashkët mbrojtëse ndaj ndërhyrjeve potenciale ruse dhe akterëve tjerë joevropianë.