Trupat ruse po bëjnë një tentim të radhës për të avancuar në qytetin e vogël Soledar në afërsi të Bakhmutit në rajonin e Donetskut në lindje të Ukrainës, raporton CNN.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, në Telegram të hënën, ka njoftuar për ofensivën e trupave ruse.
“Pas një tentimi të kaluar të pasuksesshëm për të pushtuar Soledarin dhe tërheqjes së mëpasshme, armiku është rigrupuar, ka ndryshuar taktikën dhe ka lansuar sulm të fuqishëm. Për momentin, armiku ka angazhuar numër të madh të grupeve të formuara nga rezervistët e trupave Wagner. Armiku po avancon në kufomat e ushtarëve të vetë, duke përdorur në mënyrë masive artileri, raketa dhe mortar”, ka shkruar Maliar.
Më herët të hënën, zëdhënësi i Ushtrisë së Ukrainës, Serhii Cherevatyi, ka thënë se Rusia ka arritur të koncentrojë më tepër njësi në Soledar.
Kreu i grupit famëkeq të Rusisë të mercenarëve Wagner, Yevgeny Prigozhin, të dielën ka thënë se një nga arsyet që do të marrë Bakhmutin dhe Soledarin janë minierat rreth asaj zone.
Rusia të hënën ka njoftuar të hënën se ka pushtuar fshatin Bakhmuts’ke që gjendet në afërsi të Soledarit dhe Bakhmutit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të dielën tha se Bakhmuti dhe Soledari janë frontet më të përgjakshme momentalisht dhe se situata është e vështirë.
Ndërkohë numri i të vdekurve nga sulmet me raketa në rajonin Kharkiv të hënën ka shkuar në dy, është njoftuar nga autoritetet ukrainase. Po ashtu dy shtetas britanikë janë raportuar të zhdukur në Ukrainë. Autoritetet britanike kanë thënë se po ndihmojnë familjet për të zbuluar fatin e tyre.