Botë

Rusia sulmon Ukrainën me raketa nga Deti i Zi

By GAZETA SCANNER 1

February 18, 2023

Të paktën dy civilë u plagosën dhe dritaret e disa shtëpive u thyen në qytetin Hmelnytcky në Ukrainën Perëndimore, më 18 shkurt, pasi Rusia lëshoi raketa nga Deti i Zi, thanë autoritetet ukrainase.

Forca ajrore e Ukrainës tha se mbrojtja ajrore e saj rrëzoi dy nga katër raketat Kalibr, që Rusia i lëshoi nga Deti i Zi.

Sipas Oleksandr Symchyshyn, kryebashkiaku i Hmelnytckyt, dy shpërthime u dëgjuan në qytet, i cili shtrihet 274 kilometra në perëndim të kryeqytetit, Kiev.

“Ka tri institucione arsimore të dëmtuara dhe rreth 10 blloqe apartamentesh shumëkatëshe të dëmtuara. Rreth 500 dritare dhe ballkone janë shkatërruar”, tha ai për televizionin kombëtar të Ukrainës.

Kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës tha më 18 shkurt se dy raketa ruse fluturuan pranë centralit bërthamor të Ukrainës Jugore.

Ukraina lëshoi alarme për sulm ajror në mbarë vendin në mëngjesin e sotëm, në mes të kërcënimit të një rundi të ri sulmesh ruse. Sirenat ranë në të gjitha rajonet me përjashtim të Harkiv, Sumy dhe Poltava.

Ushtria ruse nisi 41 sulme me raketa në Ukrainë gjatë mbrëmjes së 16 shkurtit dhe forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase rrëzuan 16 prej raketave, tha Shtabi i Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës.

Rusia ka nisur valë të përsëritur sulmesh në infrastrukturën civile të Ukrainës, veçanërisht në objektet e saj energjetike, që nga fillimi i tetorit, duke lënë disa herë miliona njerëz pa energji elektrike, ngrohje dhe furnizime me ujë gjatë dimrit të ftohtë.

Pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia i afrohet përvjetorit të parë më 24 shkurt./rel/