Botë

Rusia e vë në listën e të kërkuarve kryeministren e Estonisë

By GAZETA SCANNER 1

February 13, 2024

Policia ruse e ka vënë në listën e të kërkuarve kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, sipas bazës së të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Kallas kërkohet për “përdhosje të kujtesës historike”, raporton agjencia “Reuters”.

Përpos kryeministres, në listën e të kërkuarve janë vendosur edhe sekretari i shtetit si dhe ministri i Kulturës i Lituanisë. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, tha se zyrtarët e vendeve të Baltikut akuzohen për “shkatërrim të monumenteve të ushtarëve sovjetikë”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha: “Ky është vetëm fillimi. Krimet kundër kujtesës së çlirimtarëve të botës nga nazizmi dhe fashizmi duhet të ndiqen.”

Një zëdhënës i zonjës Kallas nuk qe menjëherë i qasshëm për koment.

Shtetet Baltike dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe kanë bërë plane për t’i prishur monumentet e asaj periudhe. Kallas kishte thënë më 2022 se autoritetet e vendit të saj do të çmontonin 200 deri në 400 monumente të tilla.