Lajme

Rruga e vështirë përpara për Trepçën pas një viti sfidues

By GAZETA SCANNER 1

January 02, 2024

Minatorët e Trepçës, duket se në një pikë mbërritën në konkluzionin se pa grevë, nuk do të mund t’i merrnin pagat.

Kjo pasi që disa muaj radhazi, kjo ishte forma e vetme me të cilën u kishin shkuar mjetet financiare në llogari.

Por edhe kësaj praktike i erdhi fundi, dhe përfundimisht, minatorët në Stantërg e miniera të tjera të saj, u mbyllën në nëntokë dhe thanë se nuk do të dalin, pa u plotësuar një sërë kërkesash.

Gani Osmani, që mbi 4 dekada punon në Trepçë, është ballafaquar edhe me masa disiplinore, vetëm shkaku i kërkesave që kishin adresuar.

“Nuk ka pas muj gjatë vitit në  2023 që nuk kemi bërë grevë në kërkim të pagës. Ky është viti I parë që sa punojë unë tash e 42 vite dhe kurrë s’kom marr vërejtje suspendim dhe çdo herë e kom kry punën, është hera e parë që në vitin 2023 jemi suspend prej punë veç pese i kemi lypë të drejtat tona”, ka thënë Gani osmani-Minator.

Minatorët kërkuan që pagat t’u mos vonoheshin më shumë se data 10 e secilit muaj, të zgjidhej kryeshefi i ri e të kishin kushte më të mira.

Pas 10 ditësh, ndërmjet të cilave u bënë shumë akuza e kritika të ndërsjella si për politizimin e grevës, ashtu edhe për injorimin e kërkesave të sindikalistëve, greva përfundoi.

Pajtimi u arrit për realizimin e kërkesave, por këto zhvillime, sipas  tyre, nuk do të kalojnë pa lënë gjurmë.

“Është një vit i rand për minatorët,   për vet ndërmarrjen “Trepça”, një vit si asnjëherë më parë, kemi hup hapin. Ne si sindikat besojmë se nëse nuk ndryshojmë qasje dhe strategjia në menaxhimin e ndërmarrjes problemet do të jenë shumë më të mëdha. Jemi shumë vonë, e kemi humbur hapin”, ka thënë Ibrahim Jonuzi-Sindikata e  Minatorëve të “Trepçës”.

Përderisa nga pushteti nuk kanë preferuar të flasin për gjendjen e saj, nga opozita nuk mungojnë kritikat për situatën e krijuar së voni.

“Pas nxjerrjes së ligjit për Trepçën ku ajo është pavarësua dhe Kosova ka të drejtën e saj, kjo qeveri që tri vite nuk ka marr një veprim për me përmirësua situatën më i nxit pasurit që të ngjallen dhe të jenë në funksion të atyre që punojnë aty ashtu siç ka qenë dikur gjiganti Trepça. Kjo qeveri I ka injorua kërkesat e  minatorëve në mënyrë të pandërgjegjshme” Haki Shatri-ish-ministër i Ekonomisë.

Trepça, vitin po e përfundon pa kryeshef fuqiplotë, e i ardhshmi do të ketë një situatë sfiduese përpara me ngritjen e performansës së ndërmarrjes si qëllim kryesor për t’i shmangur telashet financiare rrjedhimisht edhe pakënaqësitë të minatorëve.