Policia e Elbasanit ka dhënë detaje rreth megaoperacionit të ndërmarrë sot në Elbasan ku janë lëshuar 52 urdhër arreste për persona të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. 45 prej tyre ranë në prangat e policisë së Elbasanit ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim.
Gjatë fjalës së tij, drejtori i Policisë së Elbasanit, Ilir Proda tha se 10 persona kanë qenë të dënuar në fushën e narkotikës.
“Megaoperacion për lëndët narkotike dhe armë pa leje. Policia e Elbasanit godet grupin e personave për shpërndarje të lëndëve narkotike. Hetimet kanë zgjatur për tre muaj. U bë e mundur dokumentimi në përfshirje të këtij aktiviteti kriminal të 52 shtetasve të ndarë në disa grupe kriminale. Janë nxjerrë 52 urdhra ndalimi të cilat janë ekzekutuar mëngjesin e sotëm. J anë angazhuar 490 punonjës policie. 45 të ndalur 7 në kërkim“, njofton policia.
Mbi 490 efektivë policie kanë marrë pjesë në operacion pas një hetimi 3 mujor për goditjen e trafikut të drogës si dhe janë kontrolluar dhjetëra banesa dhe lokale.
Gjatë operacionit policia ka goditur grupe kriminale që shpërndanin drogë të llojit të ndryshëm si heroinë, kokainë, kanabis etj. Në sajë të operacionit të koduar “Rrjeti”, janë sekuestruar 1.3 kg kokainë, 860 gr heroinë, 1.3 kg kanabis, 1 kallashnikov, 51 mln lekë dhe 15 mijë €. 10 prej personave të arrestuar, sipas kreut të policisë së Elbasanit ishin pjesë e një grupi kriminal, për pasojë është shkatërruar një grup i tërë, dhe janë goditur pjesërisht edhe 3 grupe të tjera.
Proda, u shpreh se ndër të arrestuarit ka edhe biznesmenë si dhe drejtues të grupeve kriminale.
“Janë goditur një sërë shpërndarësish dhe drejtues të grupeve kriminale, po ashtu edhe furnizues. Midis tyre ka biznesmenë dhe persona me arsim të lartë”, u shpreh Proda.