Botë

Rrjedhja e tubacioneve të gazsjellësit rus në Baltik, Britania pajiset me dy “bisha” për mbrojtjen nënujore

By GAZETA SCANNER 1

October 03, 2022

Britania e Madhe do të pajiset me dy anije speciale për të mbrojtur infrastrukturën nënujore siç janë kabllot dhe tubacionet, ka njoftuar Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace, pas rrjedhjeve të gazsjellësit Nord Stream në Baltik, të cilat besohet se janë sabotim nga Rusia.

Njoftimi për dy anijet e specializuara me aftësinë për të mbrojtur sigurinë e kabllove dhe tubacioneve u bë nga Ben Wallace gjatë konferencës së Partisë Konservatore në Birmingham.

Ndërkohë autoritetet në Gjermani po përpiqen të përcaktojnë se çfarë shkaktoi rënien e papritur të presionit në tubacionin e gazit Nord Styream 2.

Tubacioni ka qenë një nga pikat e nxehta në një luftë të përshkallëzuar energjetike midis Evropës dhe Moskës që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt që ka goditur ekonomitë perëndimore dhe ka rritur çmimet e gazit.

Operatori i Nord Stream 2 tha se presioni në tubacionin nënujor ra nga 105 në 7 bar gjatë natës.

Gazsjellësi në pronësi ruse, i cili synonte të dyfishonte vëllimin e gazit që rrjedh nga Vyborg, Rusi, nën Detin Baltik në Gjermani, sapo kishte përfunduar dhe ishte mbushur me 300 milion metra kub gaz kur kancelari gjerman, Olaf Scholz, e anuloi atë, pak para se Rusia të pushtonte Ukrainën.

Vendet evropiane i kanë rezistuar thirrjeve ruse për të lejuar funksionimin e Nord Stream 2 dhe kanë akuzuar Moskën për përdorimin e energjisë si armë. Rusia mohon ta bëjë këtë dhe fajëson Perëndimin për mungesën e gazit.

Rusia ka ndërprerë furnizimin me gaz për disa vende dhe ka ndaluar rrjedhjet përmes tubacionit Nord Stream 1 nën Detin Baltik, duke akuzuar sanksionet perëndimore për pengim të operacioneve.

Rrjedhja e dyshuar nuk pati një ndikim të menjëhershëm në tregtinë e gazit mes shenjave se përpjekjet e Vladimir Putin për të ndërprerë furnizimet me energji në Evropë këtë dimër do të pengohen.

Çmimet kanë rënë në javët e fundit pasi Evropa ka bërë përparim në mbushjen e ambienteve të magazinimit për këtë dimër dhe ka ndërhyrë në tregun e energjisë për të mbrojtur konsumatorët.

Analistët thanë se rënia e çmimeve ishte për shkak të një sërë faktorësh duke përfshirë përparimin në mbushjen e objekteve të magazinimit. Çmimet kanë rënë gjithashtu për shkak të rritjes së prodhimit të energjisë së erës dhe shenjave se mirëmbajtja rutinë vjetore në fushat e gazit norvegjeze ka shkuar sipas planit pa pasur nevojë për ndërprerje të mëtejshme./Abcnews.al/