Lajme

Rritet për 20% numri i ankesave të qytetarëve ndaj policëve të Kosovës

By GAZETA SCANNER 1

November 23, 2024

Inspektorati Policor i Kosovës duket se këtë vit ka pasur më shumë punë se zakonisht.

Kjo pasi krahasuar me vitin e kaluar ankesat e kosovarëve në këtë institucion ndaj zyrtarëve policor janë rritur për 20%.

Kështu bëri të ditur në emisionin Five kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj. Ai tregoi se që nga janari deri në ditët e fundit të tetorit janë regjistruar mbi 1860 ankesa, dhe sipas tij ky është numër më i madh se gjithë ankesat e vitit 2023.

Në listën e ankesave kryesojnë ato për përdorim të forcës së tepruar dhe për sjellje jo të mira nga ana e zyrtarëve policorë.

Ish-kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli beson që rol në shtimin e ankesave kanë më shumë policët e gjeneratave të reja.

“Çdo qytetar ka të drejt të ankohet për sjelljet e policëve, në ndonjë rast mund të tejkalohet puna e tyre mirëpo mesa e vërej unë, gjeneratat e reja po mundohen të jenë më strikt, më të përpiktë dhe nuk kanë tolerancë, nuk them që nuk kanë tolerancë, por fillimi i ngarkon ata që të punojnë më shumë dhe të jenë më të pashëm në punën e tyre”, ka thënë Shaban Tasholli – Ish-kryetar i Sindikatës së Policisë.

Në ndërkohë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala beson që statistikat nuk tregojnë plotësisht realitetin, pasi sipas tij, ka qytetarë që ankesën e kanë të pabazuar.

“Unë mendoj që kjo çështje do të ketë verdiktet e tyre të përcaktuar sipas normativës përkatëse, duke pasur për bazë faktin që kemi dy mekanizma një brenda Policisë së Kosovës dhe një siç, është IPK-ja e cila do t’i trajtoj këto çështje por rritja e numrit të ankesave për përdorim të forcës është më shumë perceptim se sa realitet”, ka thënë Drizan Shala – Njohës i çështjeve të sigurisë.

IPK-ja merret me hetimin e të gjitha shkeljeve të pretenduara disiplinore të zyrtarëve policorë.