Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se është rritur niveli i manganit në ujin e Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga Liqeni i Badovcit, kësisoj ka rekomanduar që uji të mos përdoret për pije, por vetëm për higjienë personale dhe ambientale.
IKSHPK thotë se vlerat e manganit në ujë kanë tendencë për rritje të vazhdueshme, prandaj rekomandon të mos konsumohet për pije.
“Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet në njoftim.