Op/Ed

Rreziqet e demokracisë dhe tirania e shumicës

Shkruan: Besa Ismaili

Për tiranizimin që mund të prodhoj shumica në demokraci ka paralajmëruar edhe Alexis de Tocqueville 200 vite më parë kur shkroi për demokracinë në Amerikë.

Tirania e shumicës sipas Tocqueville, operon përmes dy shtyllave: asaj ligjore përmes procedurave formale që ecin sepse e shtyen shumica në pushtet , dhe tirania morale apo sociale që operon me mendësinë “neve kemi mbështetjen e popullit, ne kemi popullin me vete”.

Në detin e analizave të ndryshme politike, do hasni paralajmërime të tilla të shpeshta që parapregadisin për rreziqet e instalimit edhe të kulturës së arrogancës në qeverisje, që vjen nga shumica që i ka të gjitha mjetet juridike dhe sociale për të kapur në grusht shtetin dhe vet popullin.

Secili mund të bëj analiza të konteksteve vetanake të shoqërisë apo shtetit ku jeton dhe të krahasoj dhe shtjelloj komponentë të caktuara të teorive të Tocquevillit. Për thjeshtëzim muhabeti siç mund ta bëjmë në rrjete sociale dua të them se unë mendoj se në Kosovë na ka gjetur po kjo zezëditë: Albini e ka shti në grusht Kosovën, dhe jo vetëm Kosovën, por edhe miqtë e saj ndërkombëtarë.

Shikoni parlamentin dhe çfarë mund të kaloj aty pa aminin e Albinit? Shikoni agjencitë e pavarura që raportojnë në Kuvend sa të pavarura janë? Shihni mediet sa të strukura janë? Shikoni të punësuarit në administratën publike sa të trembur për vendin e tyre të punës që janë? Shikoni shoqërinë civile si ia mbajnë zhagun narrativave të pushtetit? Shikoni partitë opozitare sa të pafuqishëm politikisht janë karshi bajlozit që me një lëvizje syri i ka në krah 62+ vota në Kuvend? Shikoni rininë që s’ka një mendim politik ndryshe? Shikoni gratë aktiviste sesi druajnë për grante? Shikoni mësimdhënësit universitarë sesi mbulojnë edhe fytyrat me kapela që të ecin stazhin deri në pensionim që mos ti bien në sy pushtetit? Shikoni, shikoni familjet nga fshatrat si i kanë rralluar daljet në shehër të sheshit? Shikoni minatorët dhe sindikatat që më as nuk po protestojnë? Shikoni familjet e heronjëve dhe dëshmorëve që më as nuk çuditen, as nuk qajnë, as nuk kërkojnë? Shikoni sesi heq Albini nga buxheti familjar i pensionistëve dhe mjekëve, dhe ata vetëm sa nuk e falenderojnë që ua la pjesën tjetër në xhep?

Mandej, a nuk e shikoni herpallakun e ministrave të Albinit? As kapadaillëkun e deputetëve të Albinit a nuk e shikoni? Për hajgaret e Albinit s’po ju pyes, sepse shoh që ende ju argëtojnë.

Por as për ndonjë punë të hajrit nuk po ju pyes, se e di që nuk keni parë.

Por ama zbrabsjen e ndërkombëtarëve, distancën dhe hutinë e tyre, mos më thuani që nuk e keni parë tashmë? E keni parë e keni parë. Ajo është aq e dukshme, ata më as nuk kritikojnë as nuk lavdërojnë, po shikojnë seri, edhe ata po tuten prej shumicës, më konkretisht tiranisë së shumicës në pushtet. Kanë përvoja të këqia nga bota. E dinë çka do të thotë ajo, por nuk po dinë tash çka me bë me të.

Mund të më pandehni të njëanshme, por ju betohem se një këso shumice si të Albinit kurrë nuk do t’ia dëshiroja PDK-së. Kurrë. Nëse do të ndodhte ndonjëherë, unë prap pakicës do i ngelja besnike. Betohem.

Ndërkohë, ju votuesë keni kujdes kujt i jepni pushtet mbi ju. Më e pakta që mund të bëni është të mos koncentroni pushtet vetëm tek një palë. Shpërndajeni dobësojeni tendencën për tirani. Detyroni politikanët në komunikim, dialog dhe bashkëpunim, nëse duan pushtetin, dhe nëse ju doni paqe dhe mirëqenie në vend.