Lajme

Rreth 100 mijë të rinj të pashkollë e të papunë

By GAZETA SCANNER 1

May 24, 2023

Rreth 100 mijë të rinj në Kosovë përveç se janë të papunë, ata as nuk janë në shkollë dhe as nuk ndjekin trajnime profesionale.

Mungesën e aftësive profesionale e vë në pah kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

“Tregu i Kosovës është shumë interesant, kërkon punëtorë nuk gjen, punëtorët kërkojnë punë – nuk gjejnë. Dhe këtu është një mungesë e aftësive profesionale të të rinjve tonë, është një mungesë që marrin diploma por nuk janë të aftë për treg të punës”, thotë ai.

Ai më tutje thotë se kërkesat për kategorinë e punëtorëve që nuk janë të kualifikuar po zvogëlohen dita-ditës.

“Fuqia punëtore e thjesht për çdo ditë është duke u zvogëluar kërkesa për ta sepse në Kosovë tash ka filluar edhe përdorimi i robotëve për vende të punës për disa fabrika dhe kjo është një zëvendësim i cili e lë anash fuqinë e pashkolluar të punëtorëve”, shprehet Shahini.

Ndërkaq sipas ekonomistit, Mustafë Kadriaj, qeveria nuk po bën mjaftueshëm për punësimin e të rinjve.

“Në këtë rast vlerësoj që ka shumë punë dhe qeveria nuk është e fokusuar tek pjesa e investimeve, pra vetëm lavdërohet që ka buxhet më të lartë por nuk ka investime kapitale që këto investime do të reflektonin tek punësimi”, vlerëson ekonomisti.

Pavarësisht kësaj, qeveria e Kosovës përmes platformës ‘’Superpuna’’, synon punësimin e të rinjve të moshave 18-25 vjeç, përmes ndërmjetësimit midis punëdhënësve dhe punëkërkuesve.

Vetëm gjatë muajit mars, nga kjo platformë, sipas qeverisë janë punësuar rreth dy mijë të rinj.