CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 82?

Lajme

Rrëfimi i zjarrfikëses së vetme grua në Kosovë

By GAZETA SCANNER 1

July 13, 2024

Ka nga viti 1999 që pranon telefonata shqetësimesh nga qytetarët e informimi nga organet e sigurisë.

E me marrjen e informatës, ky tingull lajmëron kolegët e saj zjarrfikës të nisen për intervenim.

Lirije Ahmeti është e vetmja grua në Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë, por edhe në Kosovë.

Karrierën e kishte nisur në vitin 1999, me përfundimin e luftës. E që atëherë, ajo thotë se procesi i punës ka ndryshuar shumë.

“E kemi pas vetëm një telefon e merrshim informata shumë. Duhej të kishe shumë kujdes. Për shembull, tani janë avancu gjërat, teknologjia po e bën të veten. Tani telefonat e tregojnë numrin e përpara nuk e bënin këtë. Njerëzit telefonin, telefonin edhe nxënësa e ka ndodhë që kemi pas telefonata të rrejshme. Tani, mund ta bëjmë verifikimin. Është shumë më lehtë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ditën e nisë para orës 8:00 e këtë me qëllim që t’i kontrolloj radiolidhjet, ashtu që mos humbasë asnjë telefonatë.

Si e vetmja grua në brigadë, ajo thotë se mikpritja e ndihma nga kolegët nuk i ka munguar.

Megjithatë, puna shpeshherë ka ditur ta mërzisë e këtë e thotë gjersa kujton një thirrje që kishte pranuar.

“Një rast më i rëndi, tani po e them njërin. Janë djegur fëmijët në shtëpi dhe kanë thirrë. Ai mbetet më i rëndi për mua. Më thanë se një shtëpi po digjet, jo shumë larg nga këtu. Burri ka shkuar në punë dhe atë kohë ndalej rryma shumë. Kishte ndodhur si shkak i qiririt, janë kall ato shpuzat e syngjerat, fëmija kishin marrë flakë. Është rasti i parë i rëndë emocionalisht”, ka vijuar Ahmeti.

Thirrjet më të shpeshta i pranon gjatë kohës verë-vjeshtë e shpeshherë, numri i tyre ka shënuar rekord intervenimesh.

“Kemi shumë thirrje sidomos kohën e verës, por edhe kur ka vërshime. Atëherë ka më së shumti telefonata. Për vërshimet e fundit nuk kam qenë në ndërrim, por ato të parafundit, ka pas 24 thirrje brenda ndërrimit tim”, ka theksuar ajo.

E prezenca e grave në profesione që tradicionalisht u përkasin burrave, ajo thotë se është mëse i nevojshëm.

“Çdo profesioni, gratë ia dalin gjithmonë. Tash janë të afirmuara, i kanë të gjitha përparësitë. Mund t’ia dalin çdo pune”.

Ahmeti nuk e di nëse punën do vazhdojë ta bëjë deri në pension por thotë se për aq kohë sa e bën, do jetë gjithmonë aty për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë.

Në Kosovë janë rreth 800 zjarrfikës.