Ekonomi

Rrëfimi i dëshmitarit të dallavereve me naftën: Përzierja e saj bëhet me vaj luledielli, motorik dhe vaj të gomave (Video)

Cilësia e naftës në Kosovë shpeshherë është cilësuar shumë e dobët dhe qytetarë të shumtë janë ankuar se automjetet e tyre po u prishen.

Lajmi.net ka siguruar një rrëfim ekskluziv ku një dëshmitar flet se si bëjnë përzierjen e naftës me vajra ushqimor, vajra motorik dhe vajin e gomave të djegura duke i përzier me naftë dhe ajo i shitet qytetarëve të Kosovës.

“Me naftën në Kosovë, për momentin, nuk është najfar kontrolli i cilësisë, e cila bëhet nëpër pika doganore. Në përgjithësi merret një mostër prej një shishes dy litra, nuk merret mostra prej maunës direkt, e përmes saj bëhet analiza edhe konstatohet se është kualiteti i mirë, që ka sulfur 10 ppm, me rregulla të Bashkësisë Evropiane”, thotë ai.

VIDEO EKSKLUZIVE:

Dëshmitari tregon se Mitrovica e veriut është vendi ku lulëzon kjo veprimtari ilegale ku edhe nuk ka kontroll nga shteti.

Nafta vjen prej Shqipërisë, vjen prej Greqisë, vjen prej Maqedonisë. E kam fjalën naftë e pastër, e cila importohet këtu në Kosovës. Mirëpo, mbeturinat e naftës, me një fjalë mbeturinat e vajti motorik, vajit të lulediellit e këto sene, në përgjithësi janë ardh prej Ukrainës, ka pasur nëpër pika kufitare të Mitrovicës ku kontrabandohen aty”, tregon mes tjera.

Me këtë cilësi të naftës qytetarit i kushton të rregullojë veturën deri në 2000 euro.

“Ne e kemi bërë vajin e djegur motorik, veturave të cilat e kanë konsumuar atë farë vaji. Ajo shitet nëpër autoservise, diku shkon prej 25 centëve deri në 40 cent litra e saj. Merret qaj vaj edhe fillon bëhet zimja, si i thojmë na kimistat. Mundohemi me hjek sulfurin, me ulë sa më poshtë përmbajtjen e sulfurit, e cila është shumë vështirë me u hjek. Me të më pas bëhet përzierja e naftës, e cila importohet prej vendeve tjera, në Kosovë”, tregon mes tjerash dëshmitari i cili ka qenë vet i përfshirë në këtë veprimtari.

Ai tregon se si manipulojnë pompat e benzinës për cilësinë e naftës, nëse najherë kontrollohen.

“Për të treguar cilësinë e mirë të naftës bëhet një si pishtole i thonë asaj, të pompës së benzinës, ku qitet edhe skajohet në vetëm për analiza me bë edhe aty bëhet një 50 litërsh, 100 litërsh një rezervuar i vogël gjithmonë rrinë ajo naftë e cilësisë së mirë kur vjen mostra me u lyp i jepet prej saj.

I pyetur se si bëhet në detaje kjo përzierje, dëshmitari u përgjigj.

“Përzierja bëhet, shembull po e marrim, mujn me qenë 5 mijë litra vaj motorik ku përzihen më 2-3 mijë litra naftë të pastër edhe ajo përzimje bëhet, ku munden me ju qit edhe një 2-3 mijë litra benzinë për me jap dhezjen më të mirë, edhe ato bëhen nëpër rezervuare të pompave të benzinës.”

Mbeturinat e vajit të lulediellit që përdorën në restorante shkojnë në veturat e qytetarëve të Kosovës, kjo ndodhë për arsye sepse shteti nuk funksionon, thotë dëshmitari.

“Po, vaji i lulediellit është vaj i cili ka ndezje, dhelet me një fjalë. Mbeturina e vajit të lulediellit nëpër restorante në gjithë Kosovën, mundet me u bë një grumbullim që për një vit mundet me u bë një tonazh e madhe, ajo shitet, nuk hedhet. Janë kompani adekuate, të cilat shkojnë e bëjnë grumbullimin e vajit të lulediellit edhe e dorëzojnë nëpër këto magazinat ku përpunohet. Me vajin e lulediellit pastaj shtohen këto nafta e pastër, mundet me u shtu edhe pak një sasi e benzinës për me jap atë ndezjen më të mirë, por edhe ajo bëhet njëfarë lloj përzimje. Por, pas një kohe të gjatë, gjithqysh, pesha specifike e benzinës edhe naftës hyp nalt edhe e vajit të lulediellit bie poshtë”, rrëfehet ai.

Në sa zona të Kosovës bëhet riciklimi i gomave edhe qysh vjen deri te vaji që ë lëshojnë?

“Goma, është, me një fjalë, mbeturinë e naftës. Ajo bëhet një lloj riciklimi. Në Ferizaj kanë këqyrë me e marr licencën, sa kam informata nuk ja kanë jap licencën për shkaqe të asaj akcizës, taksave të shtetit ku edhe një riciklues duhet me u pagu taksën e shteti si me qenë një importues që importon naftën e virgjër, po i thojmë naftës së pastër edhe këta te recikluesit e kanë të njëjtën akcizë. Nuk e di a e kanë lejuar në Ferizaj, ka qenë kompani gjigante e madhe, e cila merret me prodhimin e vajrave. Ajo e ka pas një lloj licence për me përpunuar edhe vajin e djegun edhe gomat e veturave, por sa e di nuk funksionon. Gjithë këta kimista, krejt janë transferu në Mitrovicë, në pjesën veriore të Mitrovicës, ku nuk ka kontroll qaq shumë, ku pompat e benzinës punojnë pa taksa, ku importohet prej Serbisë përmes kanaleve kontrabandiste, nëpër mal e ku ta di unë”, thotë ai.