Lajme

Rrahja në Kuvend, Prokuroria e fton Bekim Haxhiun, thotë se intervistohet javën e ardhshme

By GAZETA SCANNER 1

July 14, 2023

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka konfirmuar se është ftuar për intervistim nga Prokuroria, lidhur me dhunën e përdorur dje në Kuvendin e Kosovës, ku u përleshën fizikisht deputetët e PDK’së dhe Ministrat e Qeverisë, ku u përfshi edhe ai.

Haxhiu i ka thënë Gazetës Express se do të intervistohet javën e ardhshme.

“Organet e drejtësisë janë të pavarura në punën e tyre, kurdo qe te më thirrin do te ju përgjigjem. Jam kontaktuar nga prokuroria, javën tjetër do të intervistohem”, ka thënë Haxhiu për Express.

Prokurorja e rastit, Nebahate Salihu, ka thënë se deri tash janë dëgjuar zëvendësministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, por që s’ka treguar se në çfarë cilësie janë intervistuar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë i ka iniciuar hetimet për këtë rast. Përmes një komunikate ku thuhet se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, mes tyre edhe marrja e deklaratave nga palët e përfshira në këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale ‘Sulmi’, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.