Lajme

Rohde: Qeveria e Kosovës të krijojë një frymë për heqjen e masave, Gjermania është pro

By GAZETA SCANNER 1

July 04, 2024

Kosova duhet të krijojë frymë që të hiqen masat e vendosura nga Bashkimi Evropian. Kjo është kërkesa që ka pas ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai ka thënë se shteti i tij e përkrahë heqjen e masave qoftë edhe në mënyrë graduale dhe se për këtë po punojnë.

Por ai ka thënë se për këtë duhet të ketë një vendim nga 27 vendet anëtare të BE-së.

“Ne po punojmë në largimin e masave. Pozita e Gjermanisë është shumë e qartë. Masat duhet të largohen, së paku gradualisht. Por në BE, 27 vende duhet të arrijnë pajtimin. Dhe ky është proces që po vazhdon për momentin. Ne përkrahim largimin, dhe së dyti,Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një frymë ku këto masa mund të largohen”, ka thënë Rohde, në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.

Më 18 qershor, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte dërguar një raport vendeve anëtare, ku kishte propozuar që Kosovës t’i hiqen masat në mënyrë graduale.

BE kishte vendosur masat ndaj Kosovës, pas trazirave të shkaktuara nga grupet ekstreme në veri, të cilët kundërshtonin hyrjen e kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet në objektet komunale.

Në këto protesa të dhunshme ishin lënduar 90 pjesëtarë të KFOR-it, sulme kishte pasur edhe ndaj pjestarëve të Policisë së Kosovës dhe ekipeve të medieve.