Ambasadori gjerman, Jorn Rohde ka thënë se vendimi i Listës Serbe për bojkotimin e procesit të votimit për shkarkim të kryetarëve në veri të vendit nuk është politikë konstruktive dhe i dëmton serbët e asaj pjese.
Rohde tha se ka 18 muaj vetëm bojkote dhe se Lista Serbe, pas thirrjes së serishme për bojkot, duhet të përgatitet edhe për pasoja.
“Në një shtet të së drejtës, nëse nuk ke një fuqi që të ndryshosh gjërat, bojkoti është më së paku i nevojshëm. Prandaj, ne i ftojmë të gjithë qytetarët dhe partitë politike në veri që të bëjnë të pamundurën që të marrin pjesë në këtë proces dhe që ta përfundojmë atë. Ne dëshirojmë që të kemi një rezultat që kryetarët e komunave dhe kuvendet komunale të zgjidhen, që do të reflektojnë shumicën e banorëve atje dhe për momentin nuk është ajo. E kjo me bojkotimin dhe thirrjen për bojkotim, atëherë kjo shkon komplet në një rrugë tjetër. Që 18 muaj kemi vetëm bojkote dhe kjo nuk është një politikë konstruktive”, tha Rohde për televizionin publik.
Ai shtoi se “Qeveria e Kosovës e ka ofruar një proces demokratik për serbët në veri dhe kjo ofertë duhet të pranohet nga serbët”.
“Tash, ne, presim që ata ta pranojnë këtë. Nuk e kuptoj pse nuk duhet që të ndodhë kjo. Lista Serbe nëse thërret për bojkot atëherë duhet që të llogarisë edhe për pasoja”, ka deklaruar ambasadori Rohde.
Rohde edhe ditë më parë tha se është shqetësuese kjo qasje e këtij subjekti.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi të martën presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç për siç tha trysni ndaj serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Për fat të keq edhe kësaj radhe është Aleksandër Vuqiç ai që nuk e mbanë fjalën që e ka dhënë para aleatëve edhe në takime ku kanë qenë prezent edhe kancelari Scholz edhe presidenti Macron por edhe në takime të tjera ku ai kishte garantuar se nuk do të bëjë presion të pa ligjshme ndaj serbeve që mos të marrin pjesë në një proces të tillë”, u shpreh Osmani.