Rikthehet mbrëmjen e kësaj të marte, kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Evropë, UEFA Champions League, teksa që prej orës 18:45 do të nisin 8 sfidat e para të raundit të 4-t të fazës së grupeve të këtij turneu.
Kështu, në grupin E, “shqiponjat” e Lazio do të presin në “Stadio Olimpico”, “tulipanët” holandezë të Feyenoord, në një përballje që pritet të flasë shumë për ekipin që do të kalojë në raundin tjetër të këtij turneu. Në krahun tjetër, “Loc Colchoneros” e Atletico Madrid do të përballen në “Metropolitano Stadium”, me skocezët e Celtic, ku fitorja është obligim për djemtë e teknikut Diego Simeone.
Në grupin F, i ashtuquajtur ndryshe grupi i “ferrit”, “verdhezinjtë” e Borussia Dortmund do të presin në “Signal Iduna Park”, “bardhezinjtë” e Newcastle, me djemtë e teknikut Edin Terzic, që do të kërkojnë të përsërisin triumfin e para 2 javëve, teksa në “St.James’ Park” i mundën anglezët me rezultatin minimal 1 me 0. Në përballjen tjetër të këtij grupi, “Djajtë” e Milan do të përplasen në “ferrin” e “San Siro”, me “gjigantët” francezë të PSG, në një sfidë që padyshim është më spektakolarja e fazës së grupeve të këtij kompeticini, ku “kuqezinjtë” do të bëjnë gjithçka për të gjetur fitoren.
Në grupin G, kryesuesit e Manchester City presin në “Etihad”, kampionët zvicerianë të Young Boys, në një sfidë tepër të lehtë për kampionët e Evropës, të cilët do të kërkojnë fitoren e radhës, mbrëmjen e kësaj të marte e në krahun tjetër, “demat” gjermanë të RB Leipzig do të udhëtojnë drejt Beogradit, aty ku kampionët vendas të Crvena Zvezda do të luftojnë për pikë, në mënyrë që të sigurojnë vendin e 3-të të grupit.
Ndërkaq, në grupin H, “katalanasit” e Barcelona do të udhëtojnë drejt “Volksparkstadion” të Hamburgut, aty ku i presin “ukrainasit” e Shakhtar Donetsk, në një përballje që pritet të jetë më shumë një test për skuadrën e teknikut Xavi, ndërsa “dragonjtë” e Porto presin në “Estadio do Dragao”, Antëerp-in e Arbnor Mujës, ku padyshim pritet fitorja e portugezëve për të “hipotekuar” vendin e 2-të në këtë grup. /Abcnews/