Lajme

Rexha: Me Ligjin për KPM-në, pushteti synon kontrollimin e mediave

By GAZETA SCANNER 1

July 11, 2024

Kuvendi i Kosovës, pa prezencën e opozitës, ka miratuar Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

E kryetari bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, vlerëson se ligji për KPM-në ka qenë në mesin e tri ligjeve për të cilat Bashkimi Evropian ka tash e disa javë që i ka bërë thirrje mazhorancës që të mos i votojë për shkak se nuk i përmbushin standardet evropiane.

“Ne si AGK ka shumë kohë që kemi ngritur zërin kundër përpjekjeve të qeverisë për ta miratuar ligjin në formën e tillë dhe i kemi dhënë edhe vërejtjet tona, sugjerimet tona që janë publike, por mbi të gjitha organizatat kryesore, institucionet kryesore ndërkombëtare janë bërë bashkë në kuptim që Bashkimi Evropian, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës ka sjellë në Kosovë një eksperte të mediave, e cila e ka parë ligjin, ka folur me të gjithë aktorët dhe ka ardhur me konkluzon që shumica dërrmuese e këtij ligji nuk i përmbush standardet evropiane, nuk i përmbush standardet e Këshillit të Evropës, ku Kosova synon të anëtarësohet shumë shpejt, dhe si i tillë i ka bërë thirrje Qeverisë, Kuvendit që ta që ta kthejë prapa dhe të ketë një përfshirje më të madhe në hartimin e tij”.

“Por indikacionet ishin të tilla që Qeveria dhe partia në pushtet nuk do t’i marrë parasysh vërejtjet e ndërkombëtarëve dhe e kemi parë as të vendorëve – që na merr më pak seriozisht mbase, dhe e pamë që sot mezi e bënë kuorumin, pra sikurse edhe herëve të tjera që gjashtëdhjetë deputetë të jenë në sallë për ta votuar”, deklaroi Rexha në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.