Botë

Reuters: Mandati i Stoltenberg në krye të NATO-s do të zgjatet me një vit

By GAZETA SCANNER 1

July 04, 2023

Anëtarët e NATO-s pritet të bien dakord sot (e martë) për të zgjatur mandatin e Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg edhe për një vit, sipas katër diplomatëve të cituar nga Reuters.

Shumica e liderëve të NATO-s ranë dakord me pikëpamjen e presidentit amerikan Joe Biden se Stoltenberg duhet të mbetet sekretari i përgjithshëm i aleancës në rrethanat aktuale.

Një vendim për të ardhmen e Stoltenberg ishte në pritje përpara një samiti të madh të NATO-s në Vilnius, Lituani më 11 dhe 12 korrik, një nga mbledhjet më të rëndësishme të aleancës në mes të luftës në Ukrainë.

Pavarësisht rëndësisë së madhe të rolit, përzgjedhja është shumë jotransparente dhe kryhet përmes konsultimit. Këto konsultime vazhdojnë derisa të gjithë anëtarët e NATO-s të arrijnë një konsensus.

Vihet re se asnjë nga zëvendësuesit e pretenduar të Stoltenberg nuk mund të fitonte mbështetjen dërrmuese të 31 shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Stoltenberg është sekretar i përgjithshëm i NATO-s që nga viti 2014. Mandati i tij do të përfundonte në vitin 2022, por për shkak të konfliktit në Ukrainë, ai u zgjat deri në fund të shtatorit 2023.