Lajme

Renovimi i kampit “Enver Zymeri”, pjesë e buxhetit të vitit 2024

By GAZETA SCANNER 1

November 06, 2023

Policia e Kosovës ishte institucioni që u përmend mjaft shumë sivjet për angazhimin e vazhdueshëm në gjithë territorin e Kosovës.

Nga aksionet e armatosura në veri, e deri tek operacionet speciale për konfiskimin e armëve pa leje.

E për ministrinë që vepron mbi Policinë e Kosovës, atë të Punëve të Brendshme, Qeveria e Kosovës propozoi të ndajë 216 milionë euro në projektbuxhetin për vitin 2024.

Ndërsa për Ministrinë e Mbrojtjes planifikoi të ndajë 153 milionë euro.

Që investimet kapitale janë plane kyçe për vitin e ardhshëm e thotë anëtari i Enver Dugolli, anëtar i partisë në pushtet dhe pjesë e Komisionit Parlamentar për Siguri.

“Kryesisht shkon për investime kapitale për blerje të pajisjeve, armatimit, të automjeteve të blinduara edhe për mirëqenien e policëve të Kosovës pra shujta e kështu me radhë”, ka thënë Enver Dugolli.

Por kaq i kënaqur me buxhetin e ndarë për institucionet e sigurisë nuk është Hisen Berisha nga PDK.

Rritjen e mundshme sipas tij, do ta barazoj inflacioni.

“Ky buxhet është buxhet i mbijetesës. Merre shembull buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes, ka një rritje prej 43 milionë eurosh. Kur ta kesh parasysh numrin e rekrutëve të planifikuar, specializimet që duhet t’i kryejnë, trajnimet dhe inflacionin e çmimet, këtu jo që s’ka rritje por në rishikim do të barazohet me 0”, ka deklaruar Hisen Berisha.

Një prej projekteve që është paraparë në buxhetin e vitit të ardhshëm është renovimi i kampit të njësive Speciale të Policisë së Kosovës, “Enver Zymeri” në Mitrovicë.

Kostoja totale e projektit është 4 milionë euro, e punimet pritet të fillojnë në janar të 2024-tës kurse të përfundojnë në dhjetor të vitit 2026.