Lajme

“Rendi e ligji janë vendosur në veri” – raporton Bajqinovci nga “Kurrizi” në Prishtinë

By GAZETA SCANNER

December 23, 2024

Deputeti aktual i VV-së dhe kandidati për deputet në zgjedhjet e shkurtit, Mefail Bajqinovci, ka publikuar në rrjete sociale një video promovuese për veten dhe për Qeverinë Kurti.

Duke u paraqitur në një ditë të vranët nga pjesë të ndryshme të Prishtinës, Bajqinovci thotë në video se ka votuar 262 ligje dhe ka marrë pjesë në 180 seanca plenare.

Në një moment të videos, duke “raportuar” nga vendi që njihet si “Te Ora” në lagjen Dardania të Prishtinës, Bajqinovci thotë: “Sot, falë përpjekjeve të qeverisjes së kryeminsitrit Albin Kurti, rendi dhe ligji janë vendosur në veri, siguria është më e qëndrueshme se kurrë dhe reformat ekonomike po sjellin zhvillim të prekshëm për të gjithë qytetarët.”

Gjatë verës që shkoi, Bajqinovci ishte aktiv në rrjete sociale, duke publikuar foto “selfie” nga pjesa veriore e Kosovës, madje edhe duke e sfiduar kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, që të shkonte e të pinte kafe atje.

Bajqinovci pretendoi se gjatë katër vjetëve si deputet është takuar me rreth 30 mijë qytetarë.