Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, lidhur me deklaratat e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ky është realiteti amerikan teksa shtoi se Escobar ka bërë një ndarje midis qytetarëve të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti.
Në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, Qalaj thotë se historiae “keqkkomunikimit” me Qeverinë amerikane, ka një histori të gjatë, duke theksuar trazirat e viteve 2015- 2016.
“Do ta quaja realiteti amerikan meqë e pamë një gjuhë jo diplomatike të një diplomati të rëndësishëm amerikan i cili ia bëri të qartë çdokujt mbi gjendjen e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Më erdhi mirë që Escobari e bëri një ndarje duke thënë se kemi komunikim jo të mirë me Qeverinë e Kosovës ndërsa kemi aprtneritet me qytetarin, popullin e Kosovës. Kjo historia e këtij keqkomunikimi me Qeverinë amerikane ka një histori të gjatë, nuk është e sotit, është që nga koha e demonstratave dhe trazirave të dhunshme në vitin 2015 -2016, e dimë gjithë atë skenë me ballafaqimin me ambasadoren amerikane në atë pjesën para kuvendit ku ka qenë e lënduar nga turma e dhunshme në atë kohë, pastaj e kemi pasur një qasje të njëjtë edhe nga Qeveria Trump në raport me LVV”, tha ai.
Sipas tij, kjo ka nisur me zhvilimet “e pamatura”, të Qeverisë së Kosovës.
“Edhe pse këto veprime kanë qenë si pasojë e disa vendimeve mirëpo gjithmonë mënyrat e implementimit të vendimeve kanë qenë të gabuara, të pamatura, jo të menduara mirë dhe kanë qenë me kërkesën e partnerëve tanë SHBA-ve dhe partnerëve të tjerë”, shtoi më tej ai.
Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Escobar e ka pranuar se ekziston një çarje në komunikimet diplomatike mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin [e Kosovës, Albin Kurtin]. Dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Ai ka thënë se komunikimi me Kosovën ka qenë shumë i mirë në të kaluarën dhe shpreson që e njëjta situatë do të jetë edhe në të ardhmen.
I pyetur pse nuk po e viziton edhe Maqedoninë e Veriut, ai ka thënë se situata në Kosovë është “e tmerrshme, prandaj më duhet ta vizitoj Kosovën”.