Real Madridi e ka fituar edhe trofeun e dytë këtë sezon, duke triumfuar ndaj Pachucas në finalen e Kupës Internacionale.
“Los Blancos” ishin të ftuar direkt në finale përballë skuadrës meksikane, që e mposhtën me rezultat 3:0.
Ishte Kylian Mbappe që hapi serinë e golave, ku realizoi nga afërsia pas një asistimi të bukur të Vinicius Junior, i cili në fakt kreu tërë punën duke dribluar edhe portierin (37’).
Reali ishte dukshëm më e mirë edhe në pjesën e dytë, ku dominoi në të gjitha aspektet.
Rodrygo me një gol të klasit botëror i la të shtangur tre mbrojtës si dhe portierin për ta dyfishuar epërsinë (57’).
Ndërkohë, fitoren e vulosi Vinicius Jr nga pika e bardhë, pasi Vazquez u faullua brenda zonës (84’).
Kësisoj, Real Madridi shijon trofeun e dytë të sezonit kurse të tretin mund ta fitojë në muajin janar kur të garojnë me Mallorcan, Athletic Bilbaon dhe Barcelonën për Superkupën e Spanjës.
Madrilenët gjithashtu mbesin në garë edhe për tre trofetë më të rëndësishëm, si Liga e Kampionëve, La Liga e Kupa e Mbretit.