Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka quajtur shpifje të radhës raportimin e mediumit demokracia.com se dy këshilltarët e saj kanë shpenzuar 1 mijë e 30 euro për të shfrytëzuar Terminalin VIP në aeroportin e Vjenës. Ajo ka mohuar se këshilltarët e saj kanë shfrytëzuar terminale VIP.
Gërvalla ka bërë një reagim në Facebook, duke thënë se plasimi i shpifjeve për të dhe ekipin e saj është kthyer në një fenomen.
“Plasimi i shpifjeve lidhur me mua, punën time dhe të ekipit tim është kthyer në një fenomen të rëndomtë në një pjesë, fatmirësisht të kufizuar, të portaleve në Kosovë. Reagimet e mia janë shumë të rralla edhe për faktin që këto shpifje nuk po i besojnë madje as ata „gazetarë“ që i botojnë ato. Duke keqpërdorur dokumente të vjedhura nga komunikimi i MPJD-së dhe duke gënjyer rreth përmbajtjes së tyre, përpiqet të krijohet përshtypja që paska plasur me të madhe hajnia dhe keqpërdorimi nga ana e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, ka shkruar ajo.
Kryediplomatja ka thënë se këshilltarët s’kanë marrë asnjëherë shërbime në terminalet VIP.
Reagimi i plotë:
Shpifja e radhës – kur mbushet kupa
Plasimi i shpifjeve lidhur me mua, punën time dhe të ekipit tim është kthyer në një fenomen të rëndomtë në një pjesë, fatmirësisht të kufizuar, të portaleve në Kosovë. Reagimet e mia janë shumë të rralla edhe për faktin që këto shpifje nuk po i besojnë madje as ata „gazetarë“ që i botojnë ato. Duke keqpërdorur dokumente të vjedhura nga komunikimi i MPJD-së dhe duke gënjyer rreth përmbajtjes së tyre, përpiqet të krijohet përshtypja që paska plasur me të madhe hajnia dhe keqpërdorimi nga ana e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Para se çështja t’i kalojë organeve të rendit, i bëj thirrje portalit demokracia.com dhe të tjerëve, të cilët pa asnjë verifikim paraprak thjesht vetëm e kanë kopjuar dhe botuar në portalet e tyre këtë shpifje, ta botojnë menjëherë demantimin e saj në të njejtën faqe ku edhe e kanë botuar shpifjen dhe të kërkojnë falje publike.
Shpifja e radhës titullohet është e portalit demokracia.com dhe titullohet:
„Këshilltarët e Gërvallës për një orë në Terminalin VIP ia harxhojnë shtetit 1 mijë e 30 euro“
Është thjesht gënjeshtër e kulluar që këshilltarët e mi i paskan harxhuar shtetit para për të marrë shërbime në terminalin VIP në aeroportin e Vjenës. Dokumenti i botuar si „dëshmi pagese“ titullohet me fjalën „Angebot“, që do të thotë ofertë, pra jo faturë. Një ofertë e tillë nuk është pranuar asnjë herë dhe prandaj kostoja e shkaktuar është 0,00 Euro.
Këshilltarët e mi asnjëherë nuk marrin shërbime në terminalet VIP jashtë shtetit. Ata përkundrazi bien në sy për modestinë, mirësjelljen dhe zellin e tyre për të kryer sa më shumë punë të mira në një ambient aspak të lehtë.
Personalisht këtë mundësi e shfrytëzoj vetëm në raste shumë të rralla, kur rrethanat objektive e imponojnë një gjë të tillë. Madje as në aeroportin e Prishtinës unë nuk kaloj nga terminali VIP, përveç ndonjë rasti të rrallë (ndoshta 5% të udhëtimeve të mia), kur për shkak të takimeve zyrtare arrij kaq vonë në aeroport, sa kalimi nëpër terminalet e zakonshme të aeroportit do të rrezikonte të gjithë udhëtimin zyrtar. Për këtë kam dëshmitarë qindra dhe mijëra udhëtarë nga Kosova dhe mërgata, me të cilët kam pritur dhe pres në radhë çdo herë për të kryer shërbimet e zakonshme para fluturimit. Mbrëmë jam kthyer pas mesnate nga Vjena dhe kam kaluar, si të gjithë pasagjerët e tjerë, nëpër kontrollin e zakonshëm të pasaportave dhe pasi kam pritur valixhen time, kam dalur jashtë së bashku me të gjithë udhëtarët e tjerë. Në fakt, mbrëmë shërbimi VIP i aeroportit të Prishtinës dikë ishte duke e pritur tek shkallët e aeroplanit, por jo mua. Janë të tjerë, përfaqësues të partive të pushteteve të vjetra, të cilët i shfrytëzojnë këto shërbime.
Opozitarizmi dhe gazetaria nuk bëhen me gënjeshtra. Opozitarizmi i mirëfilltë dhe gazetaria hulumtuese serioze kërkojnë shumë punë dhe integritet.
Me shumë përgjegësi e them që paranë publike nuk e kam shpërdoruar as dje, as sot dhe as nuk e kam në plan as për të ardhmen. Brenda mundësive të mia përpiqem në pozicionin që kam, me përgjegësi, punë, përkushtim, dinjitet dhe ndershmëri të jap maksimumin për të çuar përpara institucionin që drejtoj dhe për ta pozicionuar Kosovën çdo ditë pak më mirë në arenën ndërkombëtare.
Në pritje edhe të një reagimi edhe të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj një fundjavë të këndshme.