Lajme

Reagime e protesta kundër paketës “anti-shpifje”

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviç , ka kritikuar paketën “anti-shpifje” të Qeverisë shqiptare, e cila është planifikuar të kalojë nesër në Kuvend e Shqipërisë.

“Jam shumë e shqetësuartë mësoj se këtë javë Parlamenti shqiptar vazhdoi me shqyrtimin e dy projekt-ligjeve, të njohura si “paketa anti-shpifje”. Këto ligje kanë nevojë urgjente për përmirësim. Disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave”, thuhet në reagim e Komisioneres.

Sipas saj, është shqetësuses fakti se që faqet në internet mund të bllokohen pa vendim gjykate dhe kjo përbën goditje të fortë për lirinë e shprehjes.

“Unë jam veçanërisht e shqetësuar që kompetencat diskrecionale që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të tepërta dhe bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe prezantimi i rregullimit shtetëror të mediave në internet, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend”, thuhet në reagim.

Vetë-rregullimi i medias dhe një internet i hapur konsiderohen me rëndësi për Këshillin e Evropës, shprehet ajo, ndërkohë që i bën thirrje anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë draftet aktuale dhe t’i bëjnë ato në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës”.

Ndërkohë, nesër është paralajmëruar edhe një protestë përpara Parlamentit kundër paketës antishpifje të propozuar nga Qeveria e Edi Ramës.

Protesta do të nisë në orën 09:30, rreth 30 minuta përpara se në Kuvend të fillojë seanca plenare, ku në rendin e ditës është parashikuar edhe kalimi i kësaj pakete.

Shoqatat e gazetarëve dhe shoqërisë civile kundërshtojnë këtë paketë me pretendimin se ajo nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, por është përpjekje për të kapur median online.

Ndryshe, sipas paketës, Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se ka publikuar lajme të rreme apo shpifje. /gazetaScanner/