Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka vendosur të lirojë nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje ryshfeti të akuzuarit: E.M, N.Z, F.S, F.S, M.G dhe M.A.
Në njoftim zyrtar thuhet se “gjykata konstaton se në kuptim të nenit 363 paragrafi 1 nën-paragrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar, andaj gjykata të njëjtit i liroj nga akuza”.
“Nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësorë, provat që janë propozuar nga organi i akuzës, nuk mund të vërtetojnë faktin se tani të akuzuarit kanë kryer secili veç e veç veprat penale për të cilat akuzohen, andaj në mungesë të provave të cilat do të ndërlidheshin në mes vete nuk është argumentuar se këto ndërlidhje të provave kanë ndërlidhje me veprimet individuale të tani të akuzuarve në kuptim të veprave penale për të cilat ata akuzohen, e që rrjedhimisht në mungesë të tyre, gjykata të njëjtit i lirojë nga aktakuza për veprat penale për të cilat ata akuzohen” thuhet tutje në njoftim.
Sipas aktakuzës që ishte ngritur vite më parë, këta të pandehur, duke bashkëpunuar më pronarët dhe aksionarët e spitaleve private IMH dhe EDA, dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar autorizimet zyrtare, duke referuar dhe dërguar pacientë nga institucionet publike shëndetësore në këto dy spitale private në kundërshtim më sistemin e referimit të pacientëve dhe për ketë kanë marr ryshfet nga këto spitale, shuma të parave që shkonin deri në 500 euro nëse pacienti i referuar/dërguar vendoste stentë dhe 150 euro nëse pacienti bënte vetëm koronarografinë.
Shumat e ryshfetit që merrnin këta të pandehur sillen nga 150 euro deri në 21,985 euro. Më veprimet e tyre këta të pandehur u shkaktonin dëm pacientëve, i cili dëm sillej nga 700 euro deri në 18,000.00 euro për person dhe më këto veprime për periudhën 2011 -2015 ia kanë mundësuar përfitimet financiare spitalit IMH në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat EDA në shumë prej 504,595.00 euro ose të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro.