Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti, Nenad Rashiq, tha se themelimi i Asociacionit nuk e vë në rrezik sovranitetin e vendit, pasi marrëveshja parashihet të jetë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Ka hapësirë ku konsideroj se ka mundësi të bisedimeve, hapësira është me siguri prej formës politike që është imponuar për Asociacion, deri në formën e kuptimit ose leximit të dokumentit që mund të quhet propozimi, ose analiza në Gjykatën Kushtetuese. E them prapë se nuk shoh kurrfarë rreziku sa i përket sovranitetit, për shkak se në pikën e dytë në marrëveshjen e vitit 2015 shkruan se kjo marrëveshje do të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Pra, kjo që thuhet se do të jenë brenda kornizës ligjore, unë nuk e shoh si problem” tha Rashiq në Rubikon të Klan Kosovës.
Ai shtoi se ka hapësira për ndryshimin e modelit të Asociacionit, njofton Klankosova.tv.
“Unë mund ta kuptoj kryeministrin për mospranimin në formën e tillë, por ka forma dhe hapësira ku mund të propozohet, ku mund të ndryshohet ajo për shembull. Çka do të kisha ndryshuar unë, nuk do ta kisha quajtur Zajednica, e kisha quajtur hajt të themi grupi i komunave për shembull. Unë e di se ekziston një rezistencë shumë vjeçare ndaj Zajednicës dhe te ne në Ballkan nëse ndonjë ide del herët ka kohë që të kritikohet, të bëhet kritikë që ia humbë peshën që e ka pasur në fillim”, tha Rashiq.
Ministri shtoi se me ligjet në fuqi Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, prandaj nuk ka ndonjë peshë.
“Nga aspekti teknik Asociacioni nuk ka peshë, nuk ka kuptim, se ju i keni ato kompetenca të cilat janë aprovuar me ligjet në fuqi, ku i keni kryetarët e komunave. Asociacioni është një organ shtesë që është monitorues, por nuk mund të ndikoj dhe me qenë diçka me ndonjë formë ekzekutive është vetëm duplifikim i organeve, kështu që në legjislacionin në Kosovë nuk ka hapësirë për nivelin e tretë të qeverisjes. Prandaj nga aspekti teknik kjo kërkesë nuk ka kuptim, por është imponuar nga spektri politik”, tha Rashiq. /Klankosova.tv/