Në një kohë kur më shumë se 730 milionë njerëz vuajnë nga uria në mbarë botën, një miliard vakte përfundojnë në mbeturina çdo ditë, sipas një raporti të ri të OKB-së. Më konkretisht, Indeksi i Mbetjeve Ushqimore të OKB-së, i publikuar të mërkurën, tregoi se rreth një e pesta e ushqimit të prodhuar në mbarë botën shpërdorohet ose për shkak të planifikimit të dobët ose mungesës së ambienteve frigoriferike ose magazinimit.
Kostoja e këtyre mbetjeve ushqimore vlerësohet në një trilion dollarë në vit. Bazuar në të dhënat, rreth 60% e tonëve ushqimore të shpërdoruara vijnë nga familjet , ku një rol të rëndësishëm luan edhe tregtia e ushqimeve. Shërbimet ushqimore janë përgjegjëse për 28% të mbetjeve dhe shitja me pakicë për rreth 12% në vitin 2022, sipas shifrave të fundit. Këtyre, duhet t’u shtohet një shtesë prej 1 3% e ushqimit të humbur në zinxhirin e furnizimit ushqimor .
Çdo vit, 79 kg ushqim shpërdorohen për person, ndërsa njerëzit në familjet e varfra hedhin rreth 7 kg më pak për person në vit, krahasuar me familjet më të pasura. Sigurisht, në disa vende, si Britania e Madhe, Australi, Indonezia, Meksika dhe Afrika e Jugut, mbetjet ushqimore kanë rënë ndjeshëm që nga viti 2007. Japonia ka reduktuar mbetjet e saj ushqimore me gati një të tretën, ndërsa Mbretëria e Bashkuar me rreth 18%.
Mbetjet e ushqimit janë kryesisht përgjegjëse për përkeqësimin e krizës klimatike dhe kërcënimin ndaj biodiversitetit, pasi ato përfaqësojnë pothuajse 10% të emetimeve globale të gazeve serrë. Në të njëjtën kohë, bujqësia intensive po zhvendos kafshët e egra nga pjesë të ndryshme të planetit. Mbi një e katërta e tokës bujqësore në botë përdoret për të prodhuar ushqim që më pas shpërdorohet.
Inger Andersen, drejtoresha ekzekutive e Programit të OKB-së për Mjedisin e përshkroi mbetjet e ushqimit si një “tragjedi globale” në një intervistë për gazetën “Guardian“. “Miliona njerëz janë të uritur sot pasi ushqimi shpërdorohet në mbarë botën. Megjithatë, nuk është vetëm një çështje e rëndësishme zhvillimi, pasi efektet e mbetjeve ushqimore shkaktojnë kosto të konsiderueshme për klimën dhe natyrën”, tha ai.